Konferenca "Archives and Conflict Prevention: Lessons from the Past, Visions for the Future"

Konferenca e BIRN, kërkohet bashkëpunim më i madh mes prokurorive të rajonit në trajtim dhe gjykim të krimeve të luftës

Në konferencën e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese me temën “Arkivat dhe parandalimi i konflikteve: Mësime nga e kaluara, vizione për të ardhmen”, u theksua nevoja për njohje të kaluarës dhe trajtim të krimeve të luftës në vendet e ish-Jugosllavisë.

Mes tjerash u fol për bashkëpunimin rajonal mes prokurorive të rajonit lidhur me krimet e luftës, u potencua nevoja për besim më të madh në gjykata të vendeve tjera, nevojën për veprim para se të vdesin dëshmitarët, sfidat me numrin e prokurorëve që trajtojnë krimet e luftës si dhe rëndësia që kanë arkivat në zbardhje të rasteve.

Drita Hajdari nga Prokuroria Speciale e Kosovës tha se vendi ka mungesë të numrit të prokurorëve që të trajtojnë krimet e luftës.

 “Prokuroria Speciale i ka pranuar të gjitha lëndët për krime lufte në vitin 2018 nga Eulex. Atëherë kanë qenë vetem 2 prokurorë, tani i kemi 4. Numri nuk është i mjaftushëm për lëndët që kemi në posedim”- tha ajo.

Ajo theksoi se sfida më e madhe për Kosovën është bashkëpunimi ndërkombëtar edhe për shkak se statusit politik të vendit.

“Kemi pas një rast me Malin e Zi, për një person që është gjykuar dhe ekstraduar. Por, kryesisht hasim ne heshtje dhe refuzim të kërkesave. Gjithcka lidhet edhe me statusin politik të Koovës. Nuk marrim përgjigje nga Serbia, ekmi pas refuzim bashkëpunimi. Haga na ka thënë se nuk mund të realizoj bashkëpunim pasi është themeluar nga OKB dhe pasi Kosova nuk është anëtare nuk mund të bashkëpunojnë” – shtoi tutje ajo.

Konferenca e BIRN-it, “Arkivat dhe parandalimi i konflikteve: Mësime nga e kaluara, vizione për të ardhmen”

Sipas saj, Serbia hesht dhe nuk përgjigjet në shkresat e tyre pasi thonë se nuk është në bazë të qëndrimit të qeverisë së Serbisë. 

“As ne nuk përgjigjemi në kërkesat e Serbisë pasi për krime të kryera në Kosovë është kompetente Prokuroria Speciale e Kosovës për ato që kanë ndodhë në territorin tonë. Ka raste kur dy vendet hetojmë ngjarjen e njejtë. Një rast nuk mund të gjykohet dy herë”- theksoi Hajdari.

Sipas saj, gjykimi në mungesë është një lloj satisfaksioni për viktimën.

Ivan Matesiq, zëvendësprokuror për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, tha se janë ngritur numër i konsiderueshem i aktakuzave lidhur me krimet e luftës.

“Ne i kemi akuzuar mbi 1,000 persona në Prokurorinë e Bosnjës. Kemi shqiptuar dënime me mbi 3,500 vite. I kemi po ashtu 6 gra të ndëshkuara për krimet e luftës. I kemi mbi 370 prokurorë në gjithë Bosnjën”- tha ai.

Ai tutje theksoi se kanë shumë raste kur kryesit e veprave nuk jetojnë në Bosnje.

“Këta persona nuk i besojnë sistemit gjyqësor të vendeve tjera. Në Serbi kohët e fundit janë procesuar disa raste që ne i kemi akuzuar. Një dëshmitare që ka qenë e dhunuar ka shkuar në Serbi dhe unë kam qenë me të pasi i duhej ndihma ime”- shtoi tutje ai. 

Matesiq theksoi se problem janë peshqit e mëdhenj, me pozita të larta në hierarkinë komanduese gjatë luftës. Kurse, sipas tij, me Kroacinë kanë më shumë probleme pasi ata janë në BE.

Konferenca e BIRN-it, “Arkivat dhe parandalimi i konflikteve: Mësime nga e kaluara, vizione për të ardhmen”

Lars Gunar Wigemark, drejtues i misionit të EULEX-it në Kosovë tha se kanë trashëguar shumë raste të krimeve të luftës nga UNMIK-u, prej tyre shumica janë bartur në vitin 2018 te Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Numri i prokurorëve  në kohën sa EULEX kishte përsipër trajtimin e këtyre krimeve ishte 5 deri 8. 41 dënime kanë qenë gjatë kësaj kohe, 38 nga prokurorë të Eulexit. Misioni ka dorëzu qindra raste aktive, shumica ishin trashëguar nga Unmik. Por, është shumë e rëndësishme të thuhet se nuk ka mjaftueshëm bashkëpunim rajonal”- tha ai.

Kurse, Vukas Radonjiq, prokuror special për krim të organizuar, korrupsion dhe krime lufte tha se problemi me Malin e Zi qëndron pasi nuk ka qenë i përfshirë direkt në luftë dhe nuk i kupton këto krime.

“Kur flasim për krime lufte të procesuara në Mal të zi, gjykimi i parë nisi më 2014 për 5 persona, por kemi edhe raste të deportimit”- tha ai.

Sipas tij, koha ndikon shumë edhe në kujtesë dhe shpesh nuk përshtaten dëshmitë dhe nuk mund të konfirmohen.

“OJQ që merren me procesim të krimeve të luftës, shënojnë cdo vit datat për krimet, ofrojnë dëshmi e bashkëpunim. Dy prokurorë i kemi të specializuar për këto vepra, nuk kemi më shumë se 20 lëndë penale”, shtoi tutje ai.

Derisa, Marija Ristiq, gazetare tha se “problemi kryesor që të gjithë e dijnë por nuk e flasin shumë është Serbia”.

“Elefanti në dhomë është se nuk i kemi autoritetet serbe këtu edhe kjo flet shumë. Nuk kanë pranuar të jenë në një vend me palën kosovare. Ka raste kur ka bashkëpunim, por Serbia me Bosnjën, është manipulative pasi rastet komplekse lihen jashtë. Gjithashtu ka edhe mungesë besimi”, tha ajo.

Sipas saj, në Serbi përgjegjesit kryesor për shumë krime lartësohen dhe vlerësohen.

“Përgjegjesia qendron në nivelin e lartë, ku janë komandantët. Në Serbi janë të lirë, dalin në televizion. Nuk ka vulllnet politik pasi këta njerëz janë ende pjesë e elitës qe merr vendime. Edhe të pensionuarit janë shumë të fortë pasi kanë njohuri për persona e gjëra”- shtoi tutje Ristiq.

Arkivimi i dëshmive të luftës u konsiderua si veprim shumë i rëndësishëm pasi shumë procedura gjyqësore kanë marr për bazë këto dokumentime.

Konferenca e BIRN-it, “Arkivat dhe parandalimi i konflikteve: Mësime nga e kaluara, vizione për të ardhmen”

Vladimir Milanoviq nga “Humanitarian Law Center Serbia” tha se kanë mbledhur 19 mijë deklarata të viktimave në Bosnje, Kosovë dhe Kroaci.

“Shumë procedura gjyqësore janë përdorur me këto deklarime. Në vitin 2005 kemi nënshkru marrëveshje me tribunalin e Hagës. I kemi digjitalizuar të gjitha ditët e gjykimit që të evidentohen”- tha ai.

Kurse, Bekim Blakaj nga “Humanitarian Law Center Kosovo” tha se në fillim nuk ka qënë i vetëdijshëm se për çfarë do mund të përdoreshin dokumentimet me rrëfime të personave të ndryshëm.

“Sipas meje është shumë e rëndësishme të dokumentohen spese mund të shfrytëzohen edhe për procedura penale. Gjyqësori për fat të keq ka dështu të sjellë drejtësi për viktimat”.

Sipas tij, arkivat vlejnë shumë pasi janë krijuar narrativa në bazë nacionale që nuk bazohen në prova.

“Arkivat në posedim të autoriteteve nuk po bëhen të qasshme, ato do ndihmonin së paku në gjetje të varrezave masive”- shtoi tutje ai.

Gjatë konferencës u shfaq edhe dokumentari “Bitter Land’ i cili flet për 48 vende të varrezave masive në Bosnje, Kosovë dhe Kroaci dhe se si ishin përdorur për të fshehur krimin.

Po ashtu, u theksua fakti që në shumë zona ku u gjetën varre masive nuk ka ndonjë shenjë memoriali, madje nuk është lehtë as të afrohesh, si rasti në Batajnicë, vend ku u gjetën mbi 700 trupa të civilëve shqiptarë e ku është një stacion policie.

Në këtë konferencë u fol edhe për ndikimin kulturor që kanë arkivat në shoqëri dhe çfarë zgjedhin shtetet që përmes këtyre arkivave të kujtojnë dhe harrojnë.

Vendet e ish-Jugosllavisë kanë arkiva paralele, me perspektiva të ndryshme.

Nikola Diday, nga programi për paqe në Zvicër tha se aplikacionet e shumta teknologjike mund të vëjnë dilema lidhur me fakticitetin e këtyre arkivave.

“Roli i internetit është po ashtu teme e nxehtë, çka është e vërtetë e çfarë jo, si do mund të keqpërdoren këto arkiva”, tha ai.

Nikola Mokroviq nga Qendra për Dokumentin të kaluarës në Kroaci tha se vendi i tij e sheh si punë të kryer të marrurit me krime të luftës.

“Frustrimi vjen pasi ka ende gjykime lufte dhe shumica janë bërë në mungesë, kur i akuzuari nuk ka qenë i pranishëm. Ka mungesë të vullnetit për bashkëpunim, pasi Kroacia e ka kryer punën e saj. Kemi numër të madh të personave të pagjetur”- tha ai.

Evidenca që marrin nga teknologjia lidhur me krimet e luftës ishte po ashtu temë e cila mori vëmendje, me theks lufta në Ukrainë dhe mënyra si dokumentohen zonat e dëmtuara.

Maryina Slobodianiuk, drejtore e departamentit hetues u shpreh se në Ukrainë mjetet teknologjike kanë qenë ndihmë e madhe për dokumentin të asaj që po ndodh.

“Mbledhjen e deklarimeve nga dëshmitarët e kemi marr online, nuk mund t’i marrim ndryshe. Përdorimi i dronit po ashtu është shumë i vlefshëm sepse shihet qartë se si duken zonat. Evidenca digjitale është shumë e dobishme, sidomos për rastin e Ukrainës”, tha ajo.

Derisa, Luljeta Progni nga arkiva online e viktimave të komunizmit në Shqipëri tha se kanë digjitalizuar të dhëna për mbi 50 mijë viktima të atij regjimi.

“Në historinë moderne nuk ka ndodhur më herët dicka e tillë. Si të digjitalizohen evidencat për rastet që kanë ndodhur shumë dekada më parë, si rast konkret u morën krimet e kryera në Shqipëri gjatë kohës së komunizimit”, u shpreh ajo.

Në konferencë u potencua nevoja për kujdes me mënyrën se si i përdoren këto mjete digjitale për gazetari.