Rrëfimi i gazetarit Vaughan Smith, që filmoi masakrat gjatë luftës në Kosovë

Gazetari i njohur britanik, Vaughan Smith që ka mbuluar të gjitha luftërat e ish-Jugosllavisë, përfshirë këtu edhe masakrat ndaj familjes Jashari në Prekaz, atë të Abrisë, e Reçakut ka dhënë intervistë ekskluzive për Kallxo Pernime.

Raportimet e tij dhe filmimet nga këto vende kishin arritur t’i shfaqin botës një pjesë të asaj që po ndodhte në Kosovë.

Vaughan Smith fillimisht ka qenë ushtar, kurse punën si gazetar e kishte nisur në vitin 1988/89 ku në Afganistan me një grup të miqve të tij kishte hapur një agjenci të lajmeve të quajtur ‘Frontline News’.

Smith me këtë agjenci operoi për 15 vite në Afganistan, derisa gjysma e ekipit ishin vrarë gjatë raportimeve.

Më pas, ai ka mbuluar të gjitha luftërat në Ballkan, përfshirë Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën.

Ishte një prej kameramanëve që arriti të filmojë sulmin ndaj familjes Jashari në Prekaz, ku edhe ishte plagosur në kohën kur po merrte këto filmime. Atë e kishte shpëtuar telefoni që po mbante në xhep, i cili ishte goditur nga plumbi.

Smith kishte ardhur në Kosovë nga Zvicra në fund të muajit shkurt të 1998.

Ai fillimisht kishte përcjellë një demonstratë në Prishtinë dhe masakrën e Likoshanit.

Smith kishte xhiruar Prekazin, Abrinë dhe Reçakun, e që krijoi efektin e Rambujes.

Pas filmimeve që i kishte bërë mes 5 dhe 6 marsit në Prekaz nga një vend jo shumë i largët, Smith ishte kthyer përsëri në fshat për të xhiruar kufomat që kishin mbetur të vrarë nga luftimet 3 ditore.

Pamjet që kishte i kishte xhiruar Smith në Prekaz, kishin nxitur reagim në gjithë botën, e sigurisht edhe në mesin e shqiptarëve, që kishte qenë një pikë kthese në luftën e UÇK-së.

Pas kësaj, Smith kishte krijuar kontakt me UÇK-në dhe donte të dinte nëse pretendimet e serbëve si ‘terroristë’ ishin diçka që do përputhej.

Smith kishte arritur të kontaktoj me Rexhep Selimin i cili edhe e kishte organizuar xhirimin për BBC ku kishte folur Fehmi Lladrovci.

Smith pas kësaj, kishte xhiruar edhe masakrën e Abrisë, ku pati shumë të vrarë, e pas kësaj ai kishte xhiruar edhe masakrën e Reçakut.

Pamjet nga vuajtjet e shumë civilëve nëpër tenda e në të ftohtë kishin arritur të tërheqin po ashtu vëmendjen ndërkombëtare.

Smith ishte larguar nga Kosova pas fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Përveç kësaj, Smith ka prodhuar edhe filmin “The Valley” i cili paraqet luftën e fundit në Kosovë.

24 vite më pas, Smith është kthyer në Kosovë për të nderuar viktimat e Prekazit.

Më 6 mars, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama e dekoroi gazetarin për kontributin që dha gjatë raportimit të luftës në Kosovë.

Rrëfimin e plotë të gazetarit mund të ndiqni sonte prej orës 22:15 në KALLXO.com dhe RTV Dukagjini.