Orkestra "Rexho Mulliqi" - Foto: Youtube

‘Rexho Mulliqi’ Pritet të Bëhet Orkestra e Kryeqytetit

Luan Durmishi, drejtor i orkestrës “Rexho Mulliqi”, tha për KALLXO.com se kjo orkestër është një mundësi shumë e mirë për të prezantuar shtetin e Kosovës përmes artit dhe muzikës, ashtu siç ka ndodhur me filmin “Shok”.

Qëllimi, sipas Durmishit, është promovimi i muzikës klasike shqiptare kudo në botë.

Drejtori i orkestrës që në muajt e ardhshëm pritet të shndërrohet në orkestrën e Prishtinës, tha se një institucion i tillë i duhet Kosovës pasi që është e vetmja në trojet shqiptare që po e promovon muzikën shqiptare, por e performojnë dhe atë të huaj.

“Nëse ne duam që Kosova ta bëjë një imazh shumë pozitiv për botën, atëherë mundet dhe është shumë e fuqishme ta bëjë këtë përmes artit, sepse kemi jashtëzakonisht artistë të mirë në Kosovë dhe unë jam i bindur se vetëm me përkrahjen institucionale, të intelektualëve tanë, të bizneseve tona, këtë mund ta bëjmë pa pikë dyshimi”, tha Durimish.

Durmishi theksoi se është vërtetuar disa herë që arti është shumë i fuqishëm në këtë pikë të prezantimit dhe fuqizimit të vendit dhe kjo është dëshmuar sikur me filmin “Shok” apo edhe filma të tjerë. “Këtë duhet ta bëjmë edhe përmes muzikës”, shtoi ai.

Luan Durmishi theksoi se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka premtuar se “Rexho Mulliqi” do të bëhet në muajt e ardhshëm orkestra e kryeqytetit.

Ai i është mirënjohës kryetarit Ahmeti, për të cilin tha se pothuajse vazhdimisht është prezent në koncertet e orkestrës, të cilën e sheh si “një vlerë të madhe”.

Drejtori i Kulturës së Komunës së Prishtinës, Besart Vllahinja, bëri të ditur se Komuna ka filluar punimet për themelimin e kësaj orkestre si orkestër e kryeqytetit po ashtu edhe të një objekti të ri për të kryer provat dhe aktivitetet e tjera.

“Komuna e Prishtinës ka filluar procesin e përgatitjes se infrastrukturës ligjore për themelimin e orkestrës së qytetit të Prishtinës, bazuar në statutin e Komunës së Prishtinës dhe aktet tjera ligjore. Si institucion i ri, i cili potencialisht do të krijohet, do të rrjedhin edhe obligimet ligjore, administrative dhe teknike për të cilat institucioni themelues ka detyrim të ofrojë kushte”, tha Vllahinja për KALLXO.com.

Ideja për këtë orkestër është që nga viti 2005. Atë e ka hedhur drejtori i saj, Luan Durmishi. Edhe emrin ia ka vënë ai, pasi që e çmon shumë punën e kompozitorit të famshëm shqiptar Rexho Mulliqi. Sipas tij, mënyra më e mirë për ta nderuar punën e tij ka qenë që orkestra të emërohet me emrin e tij.

Durmishi tha se gjendja financiare e ka penalizuar këtë orkestër që të ketë performanca jashtë vendit, ashtu edhe siç ka ndodhur në vitin 2012 kur kanë pasur ftesë nga Spanja për të performuar në Madrid dhe në La Coruna. Mirëpo, kjo ka dështuar si pasojë e mosfinancimit nga Qeveria e atëhershme.

Ai gjithashtu përmend vendet si Parisin dhe Maqedoninë, audienca e të cilave e ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë muzikën e kësaj orkestre.

Në qershor të vitit të kaluar, KALLXO.com ka incizuar me kamerën e teknologjisë më të lartë 360 shkallë përformancën e orkestrës së Filarmonisë së Kosovës.

http://kallxo.com/orkestra-e-filarmonise-ne-rruge-koncert-edukues/

Redaktoi: Naser Sertolli