Rexhep Selimi

Rexhep Selimi Fajëson Thaçin e Mustafën për Pensionet e Veteranëve

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ngriti sot dyshime për manipulime rreth pensioneve dhe listave të veteranëve të UÇK-së.

Në një konferencë për shtyp, Selimi u shpreh se problemet për këto çështje kanë filluar me manipulimet e listave rrjedhimisht me pensionet e ish luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare.

Ai tha se partia e tij i ka paralajmëruar problemet me verifikimin e listave të veteranëve që prej hartimit dhe miratimit të projektligjit për statusin e veteranit të UÇK-së.

“Dy mangësitë kryesore që ka ky ligj vazhdojnë të jenë mos përcaktimi i kritereve të mirëfillta për statusin e veteranët dhe për shkak se brenda këtij ligji nuk ekziston fare përkufizimi i veteranit të luftës së UÇK-së”, tha deputeti Selimi.

Selimi, i cili ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, tha se është shkelur ligji për veteranët ndërsa i bëri ftesë prokurorisë që ta mbrojë këtë ligj.

“Duke e ditur që fyerja e listave e qysh moti e ka tejkaluar dyfishin e asaj që në të vërtetë kanë qenë veteranë dhe luftëtarë të vërtetë, atëherë do të duhej që menjëherë prokuroria të vihet në mbrojtje të këtij ligji”, tha Selimi.

Për këtë, ai përgjegjës kryesor e bëri kryeministrin isa Mustafa.

“Nuk e meritojnë veteranët, luftëtarët e vërtetë, as të fyhen as të keqtrajtohen, as nga Kryeministri i sotëm e as nga ai i djeshmi. As nga Isa Mustafa që i dënon të gjithë pa përjashtim e as nga Thaçi, që herë thotë se gjithë Kosova është UÇK e herë thotë se vetë ka qenë larg vijave te frontit”, tha deputeti Selimi.

I pyetur se a është ai në listën e veteranëve ai duke dalë nga zyra e Lëvizjes Vetëvendosje tregoi se nuk ka aplikuar për këtë status.