Imet Rrahmani në kongresin e reumatologëve | Foto: MSh

Reumatologët nga Evropa Mblidhen në Prishtinë

Është hapur Kongresi i tretë ndërkombëtar i reumatologëve që në Prishtinë ka sjellë profesionistë shëndetësorë të kësaj fusha nga e gjithë Evropa.

Me mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë, Shoqata e Reumatologëve të Kosovës ka nisur ditën e parë të punimeve në kongresin ndërkombëtar të reumatologëve.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani në hapje të këtij kongresi foli për reformat shëndetësore që po bën Kosova.

“Siç jeni në dijeni pas shumë vjetësh Ministria e Shëndetësisë ka filluar sivjet për herë të parë me procesin e licencimit dhe ri-licencimit të profesionistëve shëndetësorë me kritere profesionale,” tha Rrahmani.

Ai deklaroi se ky proces do të ngre cilësinë e shëndetësisë në Kosovë.

“Kemi nisur një proces që ka provokuar një përgjigje pozitive dhe interesim të jashtëzakonshëm në mesin e mjekëve, stomatologëve, infermierëve, farmacistëve dhe fizioterapeutëve për të ngritur shkathtësitë e tyre profesionale në një nivel më të lartë,” tha  Rrahmani.

Hapjen e Kongresit e bëri Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema që tha se kongresi po përmbush disa prej synimeve të rektoratit në fushën e shkencës.

“Ky kongres  përkon më vizionin tim si rektor. Personalisht, bashkë më stafin tim do të përpiqemi maksimalisht që Universiteti i Prishtinës të rrisë bashkëpunimin e vet kombëtar dhe ndërkombëtar, duke u bërë pjesë e rrjeteve hulumtuese rajonale dhe perëndimore. Kjo është një nga rrugët, që kemi identifikuar, për promovimin e punës së mirë në universitet dhe për rritjen e mëtutjeshme të cilësisë së punës,” tha Marjan Dema.

Ndërkaq, Kryetari i Shoqatës së Reumatologëve tha se kongresi do të rezultojë me shkëmbim të suksesshëm të përvojave për sëmundjet reumatike dhe ndikimin e tyre në jetën e qytetarëve.

Kongresi do t’i vazhdojë punimet edhe nesër.