Vetëvendosja anëtarësohet në organizatën më të madhe socialdemokrate në Europë

Lëvizja Vetëvendosje! është bërë anëtare e organizatës më të madhe socialdemokrate në Europë, në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropianë (PES) që po mbahet në Malaga të Spanjës.

LVV përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se anëtarësimi në këtë organizatë është një tjetër përparim në marrëdhëniet ndërpartiake e ndërkombëtare. Sipas kësaj partie, ky anëtarësim do ta ndihmojë në realizimin e synimeve dhe të programit progresist.

“Sot, në Kongresin e Partisë së Socialistëve Europianë (PES) – që po mbahet në Malaga të Spanjës për hir të zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit 2024 – me votë të anëtarëve iu dha drita e gjelbërt anëtarësimit të Lëvizjes Vetëvendosje! në këtë familje politike të rëndësishme. PES është forca politike më e madhe e së majtës në Bashkimin Evropian e cila është e përfaqësuar edhe në Parlamentin Evropian me grupin ‘’Socialistët & Demokratët’’ (S&D)”- thuhët në njoftim.

Sipas njoftimit, një fjalë rasti në këtë kongres ka mbajtur edhe kryetari i LVV-së dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Pas fjalës hyrëse së Kryetarit të PES dhe ish-Kryeministrit të Suedisë Stefan Löfven mbi sfidat e Europës, Kryetari Lëvizjes Vetëvendosje! dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, iu drejtua delegatëve të partive anëtare me një fjalë përshëndetëse, ku theksohej progresi  i përgjithshëm i Kosovës, por edhe kohën e rëndë që përjeton Evropa”- thuhet në njoftimin e LVV-së në Facebook.

Po sipas LVV-së, ky anëtarësim erdhi si rezultat i punës së bërë ndër vite, konsistencës në parimet socialdemokrate si organizatë dhe me shembull të udhëheqjes socialdemokrate në qeverisje.