Ish-Presidenti i ShBA-së, Donald Trump FOTO-REL

Gjykata e Lartë e SHBA i jep të drejtën Kongresit për qasje në deklaratat tatimore të ish presidentit Trump

Gjykata e Lartë e SHBA e ka hapur rrugën që formularët e taksave të ish-Presidentit Donald Trump t’i lëshohen një komiteti të Kongresit të kontrolluar nga demokratët.

Gjyqtarët e hodhën poshtë ofertën e Trump në muajin tetor për ta bllokuar vendimin e një gjykate më të ulët që pranoi kërkesën e panelit për të dhënat e tij financiare.

Ky vendim është një goditje për ish presidentin Trump, i cili prej vitesh i ka mbajtur të mbyllura profitet e tij.

Trump u bë presidenti i parë në 40 vjet që nuk i publikoi të dhënat pasi shpalli kandidimin e tij të parë presidencial.

Komiteti i Mënyrave dhe Mjeteve të Dhomës së Përfaqësuesve ka kërkuar qasje në të dhënat e tij që nga viti 2019.

Trump, i cili nisi fushatën e tij të tretë për Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar, po përballet me disa hetime në lidhje me praktikat e tij të biznesit. Ai mohon çdo keqbërje.

Përgjigja e shkurtër e Gjykatës së Lartë të martën nuk vuri re mospajtim nga asnjë prej gjyqtarëve.

Vendimi do të thotë se departamenti i thesarit i SHBA-së mund t’i dorëzojë deklaratat tatimore nga vitet 2015-2020 për Trumpin dhe disa nga bizneset e tij në komitetin e kontrolluar nga Demokratët.

Ky vendim vjen pak përpara se republikanët ta marrin kontrollin e Dhomës pas zgjedhjeve afatmesme të këtij muaji.

Donald Trumpit pothuajse ishte në gjendje t’i mbaronte afati në kërkesën e kongresit për qasje në deklaratat e tij tatimore. Pothuajse.

Me diç më shumë se një muaj të mbetur nga kontrolli demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Gjykata e Lartë i ka dhënë dritën jeshile departamentit të thesarit që t’ia japë dokumentet Komisionit të Mënyrave dhe Mjeteve.

Duke qenë se departamenti i thesarit udhëhiqet nga administrata Biden, procesi i dorëzimit të dokumenteve duhet të vazhdojë me shpejtësi.

Megjithatë, demokratët nuk do të kenë shumë kohë për t’i rishikuar ato përpara se republikanët ta marrin kontrollin e Senatit më 3 janar.

Dhe ardhja me çdo ndryshim të propozuar në ligjin federal në lidhje me deklaratat e taksave presidenciale – qëllimi i deklaruar i kërkesës së kongresit – duket një përpjekje e kotë me pak kohë që ka mbetur para shtyrjes së Kongresit.

Mirëpo, disa javë mund të jenë të mjaftueshme për të zbuluar prova të ndonjë kontabiliteti të pazakontë ose potencialisht të pahijshëm nga Trumpi – dhe që ato detaje të rrjedhin në publik.

Dhe ky, shumë supozojnë, ishte motivi i vërtetë pas kësaj kërkese.

Trump ka shënuar dy humbje të tjera këtë vit nga Gjykata e Lartë e dominuar nga konservatorët, tre nga gjyqtarët e së cilës ai emëroi.

Në maujin tetor, gjykata refuzoi ta merrte ne konsidertaë luftën ligjore mbi kontrollin e FBI-së në shtëpinë e Trumpit në Mar-a-Lago. Agjentët lëshuan një urdhër lidhur me këtë pronë në muajin gusht me dyshimin se ish-presidenti trajtoi në mënyrë të pahijshme dokumentet e klasifikuara.

Në janar, gjykata refuzoi të vepronte për ta ndaluar Arkivin Kombëtar që t’i dorëzonte dokumentet komitetit që i hetonte trazirat e 6 janarit 2021 nga mbështetësit e Trump në Kapitol Hill të SHBA.

Trump e ka hedhur poshtë kërkimin e Komitetit të Mënyrave dhe Mjeteve për taksat e tij si të motivuara politikisht.

Kryetari i komitetit, kongresmeni Richard Neal, ka thënë në një deklaratë se ligjvënësit “tash do ta kryejnë mbikëqyrjen që ne kemi kërkuar për tri vitet e gjysmë”. Ai nuk deklaroi nëse komiteti planifikon të publikojë deklaratat tatimore të Trump.

Vitin e kaluar, një gjykatës i emëruar nga Donald Trump në gjykatën e apelit në Uashington DC vendosi se Dhoma e Përfaqësuesve kishte një nevojë legjitime për t’i rishikuar formularët.

Komiteti argumentoi se duhej t’i shihte të dhënat e Trump për të përcaktuar nëse zyrtarët e taksave po i kontrollonin siç duhet kandidatët presidencialë dhe nëse ndonjë legjislacion i ri ishte i nevojshëm.

Ata kishin argumentuar në gjykatën më të ulët se refuzimi i Trumpit e bllokoi Kongresin nga kryerja e mbikëqyrjes së degëve ekzekutive dhe gjyqësore./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala