Raporton Shefi i AKI-së, Gjendja e Sigurisë ‘Nën Kontroll’

 

Shefi i Agjensionit Kosovar për Inteligjencë (AKI), Agron Selimaj, raportoi sot para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e këtij agjensioni në një takim të zhvilluar, si zakonisht, me dyer të mbyllura.

Pas takimit të zhvilluar pa anëtarët e grupeve parlamentare të opozitës, anëtari i komisionit nga PDK, Rafet Rama, tha që AKI ka informacione për ngjarjet e fundit në Drenas, Deçan e Fushë Kosovë, dhe sipas drejtorit të agjencisë, këto ngjarje nuk kanë të bëjnë me ndonjë akt terrorist.

“Rasti i Deçanit ka qenë një rast, të cilët [ata] janë dalë në bjeshkë, ku janë pa dhe janë ndalu nga policia. Ndërsa rasti në Drenas, mund të ketë qenë edhe zgjedhja përbrenda  BIK-ut, dhe dikush prej njerëzve që e ka lënë atë mjet aty pas pak ka informu Policinë e Kosovës. Ai thotë që është në mjet shpërthyes por ka qenë pa detonator”, tha Rama.

Ndërsa sa i përket sulmit tek shtëpia e kryeministrit dhe rastin e fundit pas protestave të thyerjes së disa zyrave të partive politike, Rama thotë se kanë biseduar por “nuk kanë informacione”.

Por, ndryshe thotë zëvendëskryetarja e dytë e komisionit, Duda Balje.

Sipas saj, AKI është në njohuri me të gjitha zhvillimet e fundit në vend, përfshirë edhe ato të ditës së votimit të Presidentit.

“Kemi qenë të interesuar për situatën politike tash, a e përcjellin prej AKI-së, çka ka ndodhë në ditën kur kemi zgjedhë presidentin dhe krejt. AKI ka informata”, tha Balje.

Ajo tha se sipas informacioneve të drejtorit të AKI-së, gjendja e sigurisë në Kosovë është nën kontroll dhe numri i kosovarëve në luftërat në Siri e Irak “po zvogëlohet”.

“Kemi pasur një takim me shumë informata. Ka pasur përgjigje në krejt pyetjet”, tha ajo.

Tri javë më parë, mbledhja e këtij komisioni kishte dështuar në mungesë kuorumi.

http://kallxo.com/nuk-mbahet-mbledhja-e-komisionit-per-aki-ne/