Tenori kosovar, Ramë Lahaj, duke pranuar çmimin nga Placido Domingo - Foto: Facebook

Ramë Lahaj i Treti në 'Operalia'

Tenori Ramë Lahaj ka fituar mbrëmë çmimin e tretë në “Operalia”, garën prestigjioze të operës, e cila k[të vit është mbajtur në teatrin “Degollado” në Guadalajara të Meksikës.

Themeluesi i garës, Placido Domingo, i cili bëri ndarjen e çmimeve, e prezantoi Ramë Lahajn si tenor nga Kosova. “Kemi ardhur në vendin e tretë për zërin e meshkujve dhe fituese është tenori i Kosovës Ramë Lahaj”, tha ai gjersa shpalli fituesin.

Vendin e parë në kategorinë e meshkujve e ka zënë Keon-Woo Kim kurse të dytin Bogdan Volkov.

Kurse në kategorinë e femrave vendin e parë e ka zënë Elsa Dreisig, të dytin Marina Costa-Jackson, dhe vendin e tretë Olga Kulchynska.

Ramë Lahaj ka lindur në vitin 1983 në Istog të Kosovës. Ai përfundoi shkollimin fillor dhe të mesëm në Kosovë ku u diplomua në studimet kompjuterike në vitin 2001.

Në moshën 21-vjeçare ai filloi trajnimin e tij profesional muzikor dhe një vit më vonë filloi studimet e tij në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë.

Fituesit e vendit të parë do të marrin çmime 30.000 dollarë, 20,000 do t’i marrin fituesit e vendit të dytë dhe 10,000 dollarë fituesit e vendit të tretë.

Ky ka qenë edicioni i 24-të i garës së Placido Domingos “Operalia”, e cila këtë vit ka pranuar më shumë se 1,000 aplikacione, kurse vlerësimi është bërë nga 10 ekspertë të operës.