Edicioni i 3-të i RLIOF, korrik 2023. Foto: RLIOF.

Mbrëmja kushtuar Nexhmije Pagarushës mbyll sot festivalin ‘RLIOF’

Edicioni i 3-të i Festivalit të operës, “Rame Lahaj International Opera Festival” mbyllet sot me gala koncertin “Nexhmije Pagarusha”.

Koncerti do të mbahet nga ora 20:00 në Bibliotekën Universitare në Prishtinë.

Në këtë natë, këngët e Nexhmije Pgararushës do të prezantohen në përpunime të veçanta nga këngëtarë të ndryshëm.

“Këngët e bilbilit të Kosovës do të vijnë tek publiku në përpunime të veçanta duke përmbyllur edhe një edicion të suksesshëm të festivalit operistik. Në mbrëmjen e pestë të RLIOF skena u takon: Kaltrina Miftarit, Adhurim Grezdës, Ardiana Bytyçit, Gerald Murrjas, Besarta Murtezanit, drejtuar e shoqëruar nga Keli Band”- thuhet në njoftimin e RLIOF-së.

Edicioni i sivjetmë i RLIOF ka nisur më 21 korrik me ekspozitën “Rrnofsh sa malet”, e cila synon të rrisë diskutimin mbi mbrojtjen mjedisore dhe fuqisë transformuese të artit.

Ketë vit RLIOF mbahet me temën “Opera për Liri” (Opera for Freedom), që synon ta shtjellojë idenë e përfshirjes së artit operistik si ndërmjetësues për ta promovuar e mbrojtur lirinë, të drejtat e njeriut dhe ato sociale.