Muri në veri

Rakiq: Muri do të Zvogëlohet

Muri i ndërtuar në veri pak përtej urës së Ibrit që sipas autoriteteve të Mitrovicës Veriore do të shërbejë për nivelizim të shetitores që do të ndërtohet në këtë pjesë, sipas kreut të kësaj komune Goran Rakiq do të jetë më i ulët sesa që u ngrit gjatë punimeve të ditëve të fundit.

“Ai mur nuk do ta ketë më atë gjatësi që ka qenë në plan, me dizajnin e versionit të planifikuar, do të zvogëlohet. Ai do të jetë i gjatë vetëm sa skena verore e amfiteatrit,” tha kryetari “verior”.

Rakiq mohoi se në murin që filloi të ndërtohej vrullshëm gjashtë ditë më parë, do të vendosen emrat e të vrarëve serbë gjatë luftës.

Asamblisti i AAK-së në Mitrovicën Veriore Gëzim Alushi tha për KALLXO.com se kishte dëgjuar që në mur planifikohen të shkruhen këta emra.

“Në kemi dëgjuar se aty do të vendosen edhe emrat e të vrarëve të luftës së komunitetit serb. Aty afër është edhe një përmendore që edhe ajo është jo e qëlluar.  Filloi si shëtitore dhe doli dhe u bë mur. Kjo po e verifikon ndarjen e qytetit. Kot hiqet barrikada e urës kur atje do të vendoset muri”, deklaroi Alushi.

Jo të qëlluar Alushi e vlerësoi përmendoren e car Llazarit të vendosur në sheshin kryesor të Mitrovicës së Veriut më 26 qershor, për të cilën kishte shkruar KALLXO.com.

Historia e ‘Ardhjes’ së Car Llazarit në Sheshin e Mitrovicës së Veriut

Goran Rakiq më tutje shpjegoi se urën e Ibrit do ta revitalizojë BE-ja, ndërsa shetitorja për këmbësorë ku u ndërtua edhe muri sipas tij është projekt i Republikës së Serbisë.

“Jemi duke folur për projektin që kemi bërë marrëveshje në Bruksel, një pjesë të projektit sa i përket urës do ta financojë Bashkimi Evropian, kurse pjesën tjetër Republika e Serbisë, për momentin sa i përket këtyre projekteve nuk është shkaktuar asnjë dëm,” tha Rakiq.

KALLXO.com kontaktoi edhe zyrtarë nga Zyra e BE-së për t’i pyetur rreth fjalëve të rakiqit, por ata nuk janë përgjigjur.

Të enjten Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, tha se janë të angazhuar që bashkë me palët në kontest ta gjejnë një zgjidhje.

“Jemi në kontakt të ngushtë me të gjithë faktorët për të siguruar një pamje të kënaqshme për të gjithë, të urës dhe të rrugës, në mënyrë që të gjithë qytetarët të përfitojnë nga kjo,” tha Kocijançiq për KALLXO.com.

Bashkimi Europian Komenton Murin në Mitrovicën e Veriut

KALLXO.com shkroi për ndërprerjen e lartësimit të mëtutjeshëm të murit nga Ministria e Ambientit të enjten.

Ndalen Punimet të ‘Muri i Ibrit’

Edhe ministrrja për dialog Edita Tahiri mbrëmë me anë të një komunikate siguroi opinionin se revitalizimi i urës dhe ndërtimi i shetitores në veri do të jenë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit për këtë çështje.

Asamblisti Gëzim Alushi tha se ndërtimi në veri që shkaktoi reagime nuk është përmendur ndonjëherë në asamblenë komunale.

“Në asamble komunale as që ka qenë në bisedë. Për neve është shqetësuese dhe destabilizuese kur e kemi parë sikurse një bimë aty, përnjëherë ka filluar. Absolutisht, askush nuk e ka përmendur dhe ne nuk e dimë nëse ajo është marrëveshje e Bashkimit Europian apo Brukselit. Tash është seanca e fundit e këtij viti dhe sigurisht ne-komuniteti joshumicë do ta shprehim brengën tonë dhe do ta kërkojmë të dimë se çka ndodhi aty,” tha Alushi.

“Marrëveshjet janë arritur në Bruksel dhe marrëveshjet e Brukselit nuk diskutohen me fuqitë e poshtme. Ato diskutohen në Parlament në Prishtinë, e jo në nivel lokal,” deklaroi Rakiq.