Pamje nga tryeza e sotme e organizuar nga QKSS - Foto: Facebook

QKSS: Policia i Trajton Njëjtë Kompanitë e Sigurimit dhe Qytetarët

Në konferencën me titull “Zhvillimi, Mandati dhe Mbikëqyrja e Sektorit Privat të Sigurisë”, ku u prezantuan të gjeturat e raporteve të saj, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) vlerëson se Policia e Kosovës po i trajton kompanitë private të sigurimeve njësoj si qytetarët e rëndomtë.

“Ne kemi vërejtur që trajtimi që i bëhet kompanive private të sigurisë është i ngjashëm me trajtimin që i bëhet secilit qytetar të rëndomtë. Nuk vlerësohet fakti se kompanitë private të sigurimit janë një ndër dëshmitarët kryesor të rendit publik në shoqëri për shkak se kompanitë private të sigurisë kanë edhe prezencën më të madhe dhe janë të thirrura që të garantojnë siguri”, tha Mentor Vrajolli nga QKSS në konferencën ku morën pjesë përfaqësues nga Divizioni për Kompani Private të Sigurisë nga Ministria e Punëve të Brendshme, përfaqësues nga Policia e Kosovës, përfaqësues nga Inspektorati i Ministrisë së Punës dhe përfaqësues nga kompanitë private të sigurisë.

Kontributin e kompanive private të sigurisë Vrajolli e konsideroi të madh dhe mjaft pozitiv. Por, shtoi ai, ky kontribut nuk po shfrytëzohet aq sa duhet nga institucionet shtetërore, sidomos nga Policia.

“Gjatë këtyre gjashtë muajve ne kemi punuar në një hulumtim ku kemi synu t’i identifikojmë rastet pozitive dhe rastet pak më negative që ndërlidhen me kompanitë private të sigurisë apo akterë të tjerë privatë që operojnë në sektorin e sigurisë e që jo domosdo janë të licencuar në këtë sektor”, tha Mentor Vrajolli.

Një rast i cili është verifikuar përmes kamerave të sigurisë Vrajolli tha se është rasti i vrasjes së policit në Bregun e Diellit. “Edhe pse nuk kemi marrë informacione se kamera a ka qenë e kompanive private apo jo, është përdorur si bazë me të cilën është arritur kapja e kryesve të këtij krimi”, tha ai.

http://kallxo.com/policia-po-bastis-nje-shtepi-te-te-afermve-te-policit-te-vrare/

Sa i përket rasteve negative Vrajolli tha se është vërejtur që në treg ka edhe kompani të palicencuara.

“Një nga rastet që është studiuar në këtë raport ka qenë rasti i ‘Albi MALL”, ku garda i cili ka qenë i pranishëm në objekt është hasur në një rast të vjedhjes së dhunshme dhe meqenëse ka tentu me evitu rastin e vjedhjes ai ka dalë dhe fizikisht është ballafaqu me kryesit dhe i cili ka ardhë deri te humbja e jetës”, tha ai.

Rreth këtij rasti, Vrajolli tha se një ndër arsyet që roja nuk ka vepruar në mënyrën adekuate është mungesa e trajnimeve.

“Një rast ku është vërejtur çalim në mënyrën se si ka funksionuar sigurimi i objektit, është vërejtur gjithashtu që personi që ka qenë në pikën e caktume nuk ka përdorur mekanizmat që është dashur t’i përdorë në rastet e tilla, ai nuk ka kontaktuar me mbikëqyrësit për të kërku ndihmë por është mundu me zgjidhë problemin në mënyrë vetanake, pa kërku mbështetje dhe mendoj se një ndër arsyet kryesore ka qenë mungesa e trajnimeve adekuate”, tha Vrajolli.

Për rastin e vrasjes së rojës në “Albi MALL” ka raportuar edhe KALLXO.COM.

http://kallxo.com/vritet-nje-roje-ne-albi-mall/

Gjithashtu KALLXO.com kishte ofruar detaje rreth planit që rezultoi me vrasjen e rojës Nazmi Ramadani.

http://kallxo.com/plani-qe-coi-ne-vrasjen-e-rojes-se-albi-mall/

Në këtë konferencë foli edhe Granit Hasani, drejtor i përgjithshëm i kompanisë private të sigurisë “Besa Security”, i cili kundërshtoi Mentor Vrajollin për atë se Policia e Kosovës i trajton kompanitë e sigurisë njëjtë si qytetarët e rëndomtë.

“Bashkëpunimi i Policisë me kompanitë private të sigurisë është i madh dhe është 24/7 sepse kurdo qoftë që ne i thirrim Policinë e Kosovës janë pranë nesh edhe atë në kohë rekord”, tha Hasani.

Për çështjen e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe kompanive të sigurimit foli edhe Izet Azizi, drejtor i Drejtorisë për Standarde Profesionale.

“Sa kam njohuri unë Policia e Kosovës kontaktet ma të shpeshta nga të gjitha agjencionet dhe institucionet e tjera i ka me kompanitë e sigurisë. Nuk e di nga ka dalë ky konstatim që nuk kanë bashkëpunim, por na kemi bashkëpunim 24 orë me këto kompani”, tha Azizi.

Redaktoi: Naser Sertolli