Ndërtesa e Qeverisë

Qeveria me Strategji për Mineralet

Ministri për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavileci tha se kjo strategji është plan afatmesëm për sektorin minerar në Kosovë.

“Prioritet e zhvillimit të veprimtarisë minerare do të jenë krijimi i klimës dhe kushteve të përshtatshme për biznes, evidentimi i projekteve relevante në sektorin minerar që janë në zhvillim e sipër,” tha Stavileci.

Miratimi i strategjisë për minerale u bë një vit pas grevës së minatorëve të “Trepçës” në të cilën qe kërkuar shpallja e këtij kompleksi minerar ndërmarrje publike.

http://kallxo.com/ngujohen-minatoret-e-trepces-i-japin-ultimatum-qeverise/

Qeveria miratoi edhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021 që ministri i Financave Avdullah Hoti e cilësoi si një dokument që reflekton objektivat e qeverisë për pesë vjetët e ardhshëm.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa e vlerësoi këtë strategji si njërin ndër dokumentet më të rëndësishme për këtë vit.

“Është njëri prej dokumenteve më të rëndësishme për këtë vit, është një prej dokumenteve  që adreson politikat tona zhvillimore dhe liston prioritet tona strukturore te zhvillimit,” deklaroi Mustafa.

Gjatë kësaj mbledhje kabineti qeveritar miratoi edhe Draft-Strategjinë për Sigurinë Kibernetike dhe Planin e Veprimit 2016-2019.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni u shpreh se strategjia për sigurinë kibernetike është hartuar për herë të parë në Kosovë.

“Rritja e përdorimit të internetit paraqet sfida për sigurinë e qytetarëve të Kosovës. Kjo strategji është hartuar në pajtim të plotë me Agjencionin e BE-së për Sigurinë Kibernetike,” tha ai.

KALLXO.com në disa raste ka shkruar për shantazhe që u janë bërë disa personave me anë të rrjeteve sociale.

http://kallxo.com/kerkoi-para-per-tia-hequr-foton-nga-facebook/

http://kallxo.com/arrestohet-pasi-shantazhonte-nje-femer-ne-facebook/

Qeveria miratoi edhe nismën për Marrëveshjen Financiare IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe BE-së, si dhe shpalli zonë të veçantë Zonën e Gadimes.