Qeveria dhe Shoqëria Civile, Bashkëpunim me Pengesa

Gjatë një takimi mes Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe anëtarëve të Këshillit për Strategji që vijnë nga shoqëria civile u tha se ndarja e buxhetit për implementimin e kësaj strategjie, mungesa e transparencës në fondet publike, pjesëmarrja e ulët e zyrtarëve të institucioneve dhe mungesa e kapaciteteve të Zyrës për Qeverisje të Mirë janë ndër sfidat më të mëdha në këtë bashkëpunim.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se do të adresohen në mënyrë institucionale të gjitha këto sfida në mënyrë që të implementohet sa më mirë ky dokument.

“Ka pasur edhe vërejtje edhe sa i përket ndarjes së buxhetit, shfrytëzimin e buxhetit për përkrahjen e Strategjisë.  Ne do ta adresojmë që buxheti të implementohet ashtu siç janë aktivitetet e ministrive përkatës dhe Zyrës së Kryeministrit. Që të jetë në harmoni me këtë kam pasur kërkesë që të fuqizohet zyra për Qeverisje të mirë me resurset njerëzore që pastaj do ta përcjell implementimin e strategjisë”, tha Mustafa.

I pari i Qeverisë shprehu gatishmërinë që ky institucion të bashkëpunojë me shoqërinë civile në ndërtimin e politikave qeveritare.

“Unë kam shprehur gatishmërinë e qeverisë që ne të bisedojmë me shoqërinë civile dhe interesin që ka Kosova. Kemi edhe ne si Qeveri nevojë ta kemi zërin e shoqërisë civile në ndërtimin e politikave qeveritare si dhe gjatë hartimit të punës së Qeverisë”, deklaroi kryeministri.

Mustafa tha se është mirë që Qeveria dhe Shoqëria Civile të diskutojnë bashkërisht për transparencën dhe llogaridhënien rreth shpenzimit të fondeve publike.

“Është më mirë që ne bashkërisht t’i diskutojmë këto çështje, t’i konstatojmë bashkërisht që të kemi argumente në mënyrë që sa më tepër të shkojmë në hemisferën e argumentimit dhe sa më pak pastaj të mbetet çështja shfrytëzimi apo mosshfrytëzimi i fondeve publike, ose keq-shfrytëzimi i tyre si perceptim publik”, deklaroi ai.

Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Europian, Dario Di-Benedetto tha se integrimi në BE nuk mund të ndodh pa përfshirjen e shoqërisë civile.

“Nuk mund të  ketë integrim në Bashkimin Europian pa një shoqëri civile sepse një shoqëri civile i duhet vendit. Ka shumë sfida përpara dhe strategjia nuk mund të implementohet pa vullnet politik dhe buxhet”, deklaroi ai.

E më e zëshme në këtë takim ishte, Valdete Idrizi drejtoreshë ekzekutive e CiviKos dhe bashkëkryesuese e Këshillit. Ajo numëroi sfidat që ka para vetës implementimi i Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile.

“Disa prej këtyre vërejtjeve na kanë përcjellë prej ditës së parë. Pra janë, mungesa e adresimit buxhetor, mungesa e transparencës në fondet publike, pjesëmarrja e ulët e zyrtarëve të institucioneve dhe mungesa e kapaciteteve të Zyrës për Qeverisje të Mirë që është parakusht që të intervenohet më mirë. Ne kemi vlerësuar se edhe pse keni marrë shumë ankesa nuk është marrë seriozisht zgjidhja e tyre”, tha Idrizi.

Gjatë këtij takimi u bë publik se në fillim të vitit 2017 do të lansohet platforma online e cila ka për qëllim lehtësimin e komunikimit mes institucioneve të Kosovës me publikun.