Punëtorët Socialë me Njohuri të Kufizuara

Niveli i njohurive të punëtorëve socialë për metodologjinë e punës është i kufizuar. Ata dinë të merren me fëmijët, mirëpo nuk dinë të bëjnë vet hulumtimet. Kështu u tha në prezantimin e studimit “Praktikat në mbrojtjen e fëmijëve dhe nevojat e fuqisë punëtore në Evropën Juglindore” nga Qendra Burimore Rajonale për Mbrojtjen e Fëmijëve në Evropën Juglindore.

Hulumtuesi i studimit, Fatmir Fazliu, tha se në Kosovë ka mungesë të njohurive për institucionet që ofrojnë shërbime sociale.

“Rastet e dhunës në Kosovë raportohen në polici dhe jo në qendrat përkatëse sociale. Kjo është një e metë e shoqërisë tonë, sepse shumë më mirë do të trajtohej rasti nga një punëtor social i përgatitur sesa nga një polic”, u shpreh ai.

Fazliu shtoi se kësaj fushe nuk i kushtohet vëmendja e duhur. Për këtë arsye as shoqëria nuk janë mirë të informuar.

“Sa i përket praktikave të mbrojtjes së fëmijëve, punonjësit socialë dhe zyrtarë të tjerë në krye të institucioneve publike, e perceptojnë mbrojtjen e fëmijëve thjesht si një nga format të mbrojtjes sociale. Duket sikur nuk i kushtohet ndonjë vëmendje ose angazhim special”, shtoi ai.

Ai tha se as punëtorët socialë nuk e bëjnë punën më të mirë.

“Një opinion i përhapur mes punëtoreve socialë është se në Kosovë ka shumë raste sociale, ndërsa mundësitë për t’i trajtuar janë të vogla dhe sipas tyre nuk ia vlen të trajtohen fare”, tha ai.

Koordinatori i projektit, Kushtrim Islami, tha që përmbushja e të drejtës themelore të fëmijëve për t’u mbrojtur nga abuzimi dhe dhuna është ngritja e kapaciteteve profesionale.

“Vitin e kaluar në kuadër të projektit kemi bashkëpunuar me institucione të ndryshme duke përfshirë Universitetin e Prishtinës saktësisht me Departamentin e Shkencave Sociale dhe Psikologjinë”, tha ai.

Ndërkohë në raport thuhet se në Kosovë po hartohet një ligj i ri për mbrojtjen e fëmijëve. Ky ligj pritet të sjellë disa zhvillime më pozitive në Kosovë për mbrojtjen dhe kujdesin e fëmijëve edhe pse pritjet nuk janë të mëdha.

Ky studim është një nga 7 studimet të cilat pritet të bëhen gjatë muajve në vazhdim deri në vitin 2017.