"T’i mbrojmë fëmijët nga duhanpirja aktive dhe pasive"

Duhanpirja aktive dhe pasive e rrisin rrezikun për shumë sëmundje te njerëzit e veçanërisht te fëmijët. Sipas profesionistëve të fushës duhanpirja mund të ndikojë në infeksione të mëdha të mushkërive.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në botë vdesin nga duhanpirja rreth 8 milionë njerëz. Më shumë se 7 milionë nga këto vdekje janë rezultat i përdorimit të drejtpërdrejtë të duhanit, ndërsa rreth 1.2 milion janë rezultat i thithjes indirekte të tymit.

Duhanpirja gjatë shtatzënisë mund të vendos fëmijën në rrezik por edhe mund të rrisë rrezikun për ndërlikime gjatë shtatzënisë. Disa prej ndërlikimeve gjatë shtatzënisë që përjetohen më shpesh nga gratë që pinë duhan janë: shtatzënia ektopike apo shtatzënia jashtë mitrës, zakonisht në tubin fallopian; vdekja e foshnjës në mitër; aborti spontan; problemet me placentën, duke përfshirë shkëputjen e hershme nga muri i mitrës dhe bllokimin e hapjes së qafës së mitrës; çarje e parakohshme e membranave dhe lindja e parakohshme.

Gjinekologu obstetër Memli Morina tregon se problemet që mund t’i shkaktojë duhani te fëmijët, derisa ende janë në barkun e nënës, janë evidente. Sipas tij, gërshetimi i duhanpirjes me mënyrën e pashëndetshme të jetesës mund të shkaktojë probleme të mëdha shëndetësore te fëmijët që mund ta përcjellin gjatë gjithë jetës.

Gjinekologu Morina rekomandon që të lihet duhani gjatë shtatzënisë për shkak se komplikimet mund të jenë shumë serioze e mund të çojnë deri te humbja e fetusit.

Tutje ai shton se zvogëlimi i sasisë ditore të konsumimit të duhanit nuk ka asnjë efekt.

“Lënia e duhanit mund të zvogëlojë rrezikun për probleme gjatë lindjes”

Një grua shtatzënë, sa herë që e pi një cigare, ajo dërgon oksigjenin te foshnja e palindur dhe e ekspozon atë ndaj një numër kimikatesh, duke përfshirë kimikate që shkaktojnë kancer.

Disa nga efektet e shumta të dëmshme të tymit të cigares në fetus përfshijnë: furnizimin e reduktuar me oksigjen për shkak të monoksidit të karbonit dhe nikotinës; rritja dhe zhvillimi i vonuar; rritje e rrezikut të çarjes së buzës dhe qiellzës; ulje e lëvizjeve të fetusit në mitër për të paktën një orë pas pirjes së një cigareje dhe ndryshime në trurin dhe mushkëritë e foshnjës.

Edhe pediatri Petrit Gjaka, i ka numëruar disa prej komblikimeve që mund t’i kenë gratë gjatë shtatzanisë, nëse ato e konsumojnë duhanin. Sipas tij, këto komplikime janë: aborti, lindja e fëmijës para kohe, lindja e fëmijës me peshë më të vogël, defektet e lindura në zemër ose organe të tjera, sëmundjet e mushkërive. Ai ka treguar se këto foshnje të porsalindura të nënave duhanpirëse mund të pësojnë të ashtuquajturën sindromën e vdekjes së papritur.

Rekomandohet që fillimisht përpjekja për të lënë duhanin gjatë shtatzënisë të bëhet pa mjekim. Megjithatë, nëse nënat nuk janë në gjendje ta lënë duhanin, mund të përdorin terapi zëvendësuese të nikotinës (çamçakëz, tableta, sprej për gojë ose inhalator) për t’i ndihmuar. Përdorimi i këtyre produkteve konsiderohet më i sigurt se pirja e duhanit, por edhe kjo sasi më e vogël e nikotinës mund të mos jetë plotësisht pa rrezik për fëmijën tuaj. Zëvendësimi i duhanit me terapi të tjera gjithmonë duhet të bëhet në konsultim me doktorin.

“Pirja e duhanit në shtatzëni shkakton probleme të mëvonshme për fëmijën”

Më pak se gjysma e grave e lënë duhanin kur e planifikojnë apo kur e marrin vesh që janë shtatzënë. Përveç problemeve në fetus, pirja e duhanit gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë probleme të mëvonshme në shëndetin e fëmijës.

Këto probleme mund të jenë: mushkëritë më të dobëta; rrezik më të lartë të astmës; diabetin e tipit 2 dhe presionin e lartë të gjakut në moshë madhore; rritja e rrezikut për të qenë mbipeshë dhe obez në fëmijëri dhe rritje e rrezikut të çrregullimit të hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes (ADHD).

Dëmet e duhanpirjes mund të jenë të mëdha edhe në shëndetin e fëmijëve që kanë lindur nga prindër duhanpirës e po ashtu edhe te ata fëmijët që rrinë në ambiente ku pihet duhani.

“Fëmijët që jetojnë në një familje ose ambient ku të paktën një person ose më shumë persona janë duhanpirës  kanë më shumë gjasa të zhvillojnë: astmë, infeksionet e gjoksit – si pneumoni dhe bronkite, infeksione të trurit, infeksionet te veshit, sinusiti, alergji e po ashtu vdekje të papritur të foshnjave”, ka thënë Gjaka.

Sa i mbron ligji fëmijët nga duhanpirja?

Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2020, në nenin 43, rregullohet “Mbrojtja e fëmijës nga substancat e dëmshme dhe të ndaluara”, ku përmendet edhe duhani.

“Fëmija duhet të mbrohet nga përdorimi i substancave narkotike, alkoolit, produkteve të duhanit, produkteve toksike, substancave psikotrope dhe substancave të tjera që janë të deklaruara të dëmshme nga autoritetet përkatëse”, thuhet në paragrafin e parë të këtij neni.

Përderisa në paragrafin e dytë të nenit 43, është e rregulluar ndalimi i shitjes së produkteve të duhanit dhe produkteve të tjera te fëmijët nën 18 vjeç.

“Çdo personi dhe operatori ekonomik i ndalohet t’i shesë dhe t’i shërbej fëmijës deri në tetëmbëdhjetë (18) vjeç, alkool, produkte të duhanit, produkte toksike, substanca psikotrope dhe substanca të tjera që janë të deklaruara të dëmshme nga autoritetet përkatëse, në të kundërtën do të dënohet sipas legjislacionit në fuqi”, theksohet në ligj.

Përderisa te Ligji për Kontrollin e Duhanit evidentohen të miturit dhe mbrojtja nga produktet e duhanit. Në nenin 10 të këtij ligji specifikohet qartë që asnjë të mituri nuk duhet t’i shitet duhan e po ashtu theksohet se edhe të miturit nuk duhet të shesin duhan.

Gjithashtu në nenin 11 të këtij ligji specifikohet mbrojtja nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit, mbrojtja e fëmijëve theksohet të jetë vetëm në ambientet ku ka lojëra fëmijësh e në institucione edukativo-arsimore.

Ndonëse pirja e duhanit nuk lejohet në hapësira të punës, hapësira publike e mjete të transportit publik, inspektorët sanitarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë gjatë vitit 2020 kishin kryer 1848 inspektime ku ishin dhënë gjoba për persona fizikë e juridikë.

Kosova duhet ta vërë prioritet mbrojtjen e shëndetit publik, mbrojtjen e fëmijëve nga pasojat shkatërruese shëndetësore dhe sociale të konsumimit të duhanit. Në mënyrë që fëmijët të gëzojnë një jetë të shëndetshme, duhet bërë mobilizimi mbarë shoqëror dhe mobilizimi i institucioneve përkatëse përgjegjëse për shëndetin e fëmijës në Republikën e Kosovës”, kanë thënë nga KOMF.

Edhe Institucioni i Avokatit të Popullit e konsideron emergjente marrjen e masave për mbrojtjen e fëmijëve nga duhani. Sipas tyre, nisur nga detyrimet që shteti i ka karshi fëmijëve, zbatimi adekuat i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve kërkon urgjentisht edhe nxjerrjen e akteve të parapara nënligjore.

Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit ‘’PROtectChild’’ nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) që zbatohet bashkarishtë me Save the Children në Kosovë, dhe financohet nga Qeveria Suedeze. Përgjegjësia për përmbajtjen qëndron tek zhvilluesi i saj.