KOMF, Prezantimi i dokumentit "Politika për mbrojtjen e fëmijëve"

KOMF prezantoi dokumentin me 'Politika për mbrojtjen e fëmijëve'

Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve ka prezantuar “Modelin e Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve”.

Dokumenti përmban procedura dhe parime për mbrojtjen e fëmijëve, që KOMF i ka formuluar për institucionet dhe organizatat që punojnë me fëmijë.

Petrit Tahiri, nga Kosovo Education Center (KEC), tha se shkollat kanë rëndësi të madhe në procesin e miratimit dhe zbatimit të politikave të mbrojtjes së fëmijëve.

“Qëllimi kryesor është që së pari institucionet arsimore, të cilat punojnë me rreth gjysmë milioni fëmijë duhet ta kenë një politikë të tillë dhe ne po pretendojmë që ky dokument që sot po prezantohet do të gjejë zbatim dhe përkrahje në nivelin e politikëbërjes”, u shpreh ai.

Ndërsa Remzije Krasniqi, nga SOS Fshatërat në Kosovë, tha se fillimi i zbatimit të politikës duhet të jetë informimi për të gjithë të angazhuarit brenda organizatës, apo institucionit.

“Pika e parë është informimi, vetëdijësimi i punonjësve qoftë të rinj, apo aktual për Politikën e Mbrojtjes së Fëmijëve, dokumentet, deklaratat, raportet dhe mënyrën e procedimit të reagimeve dhe shqetësimeve që mund t’i ndodhin në organizatë, institucione”, u shpreh ajo.

Krasniqi poashtu tregoi se dokumenti është model i përgjithshëm, ndërsa institucionet mund t’i bëjnë politikat e tyre në bazë të veprimeve apo fenomeneve që i rrezikojnë fëmijët më së shumti.

“Duhet ta vlerësojmë vazhdimisht rrezikun, pra se cilat rreziqe paraqiten dhe cilat brenga nga procesi i mbrojtjes së fëmijëve dhe në këtë rast dizajnohet programi kundrejt mbrojtjes së fëmijëve me qëllim që secili punonjës dhe secili individ të jetë i mbrojtur, por që njëkohësisht t’i mbrohen të drejtat fëmijëve”, tha ajo.

Duke e prezantuar dy pika të tjera të dokumentit, Krasniqi tha se edhe rekrutimi i stafit duhet të bëhet në mënyrë të sigurtë për fëmijët dhe që organizat apo insitucionet të kenë person, apo grup përgjegjës që i pranojnë raportimet e të gjitha llojeve të dhunës nga ana e fëmijëve.

Ndërsa, Muhamet Arifi, nga Balkan Sunflowers Kosova, duke u lidhur në këtë pikë tha se të dhënat e raportuesit duhen ruajtur.

“Ato duhet të jenë konfidenciale. Personi i cili e mirëmban procedurën duhet të sigurojë që konfidencialiteti i informatave të fëmijës është i sigurt dhe që të raportojë në vendin ku duhet, te bordi, te drejtori apo te një grup i cili është përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve”, u shpreh ai.

Gjatë konferencës foli edhe Albulena Shabani, nga Terre des hommes, e cila tregoi se dokumenti i KOMF përmban edhe formë të pëlqimit që mund ta përdorin gazetarët në rastet e intervistave me fëmijët.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të merret pëlqimi paraprak nga ana e fëmijëve si dhe nga ana e prindërve. E në formën e pëqlimit është me rëndësi të përmendet se cili është qëllimi i aktivitetit, ku do të zhvillohet dhe ku do të publikohet ai”, tha ajo.