Protesta e punëtorëve të Postës- FOTO KALLXO

Punëtorët e Postës protestojnë për paga - FOTO

Me mbishkrimet “Repsketo ligjet e tua”, “Qeveri, Posta duhet të shpërndaj dërgesa”,  “Duam shërbimet që i ka secila Postë shtetërore”, punëtorët e Postës po protestojnë para qeverisë.

Kryetari i Sindikatës, Naser Gashi, tha se kjo protestë është organizuar me shoqatën e sindikatës së postierit dhe Postën e Kosovës.

“Jemi mbledhur sot para qeverisë që t`i tregojmë të njëjtës se Posta është e Kosovës dhe e Qeverisë”, tha Gashi.

“Duke kryer shërbimet posta është e obliguar me ligj dhe në pesë vitet e fundit posta ka krijuar një humbje prej 5 milion duke kryer shërbime të cilat kushtojnë shumë pak. Nëse ndalemi në një rast tjetër, çka do të ndodhte nëse posta të prodhoj energji, ujë apo pije, të gjithë do të thonin se posta po punon jashtë ligjit.  Kemi edhe një çështje, shumica e dijmë që posta e Serbisë operon lirshëm në Kosovë, duke marr shumë nga tregu i Postes së Kosovës, askush nuk ka ndërmarrë asgjë. Ne nuk duam asgjë më shumë. Duam të na rimbursohen humbjet. Qeveria është e obliguar me ligj. Qeveria duhet t`i mundëson Postës që të marrë të gjitha shërbimet që i ka çdo kompani a ndërmarrje në Kosovë. Neve punëtorëve të postës duam pagat tona që ende si kemi marr”, tha Gashi.

Etrit Hoti nga Sindikata tha se punëtorët e Postës nuk kanë para t`u blejnë fëmijëve materialet shkollore pasi që nuk i kanë marrë pagat.

“Siç jeni në dijeni ka tre ditë që kemi zhvilluar një grevë për sensibilizim pasi që ende nuk i kemi marrë pagat e gushtit me qëllimin e vetëm që posta nuk ka arritur të ketë mjete për shkak të papërgjegjësisë. Posta duhet të bëhet post-bankë, të marrë fund maltretimi. Në shtator nuk kemi pasur para për me i ble fëmijëve tanë fletore për shkollë dhe është e padrejtë që fëmijët tanë të përballen me këtë gjë tash e 1 vit e gjysmë. Kërkojmë nga kryeministri të na pret, duam post-bankë”, deklaroi Hoti.

Kryetar i Sindikatës së Telekomit, Lami Balaj tha se nuk do ta ndërpresin punën, por as protestat nuk do t`i ndalin për t`i realizuar kërkesat e tyre.

“Nuk dua me i përmend të gjitha ato që janë me ligj. Dua të them ata që e kanë bërë ligjin duhet ta respektojnë. Sot është data 13 dhe ende nuk kanë dal pagat. I nderuar ministër paguaj borgjet e mos i lë njerëzit me borgje se këta mbajnë familje. I nderuar ministër shikoj bankat, kur mu m`vjen mesazhi që e kam mirëmbajtjen 5 euro, ndërsa posta kryen shërbime për 40 cent. Nuk do ta ndalim punën pasi që dikush kënaqet me lënë postën, por ne do vazhdojmë t`i kërkojmë të drejtat tona”, tha Balaj.

Kryetari i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Hajdini tha se kjo protestë nuk ka qenë me vullnetin e tyre.

“Kjo protestë është imponuar nga qeveria pasi që qeveria obligimet e saj ndaj punëtoreve s`po i kryen. Pa ju nuk ka ekonomi, pa punëtorë s`ka zhvillim të vende të reja të punës. Kërkojmë që kërkesat e punëtorëve të realizohen”, tha Hajdini.

Kryeministri siç raporton gazetarja e KALLXO.com i ka ftuar në takim përfaqësuesit sindikal të protestuesve.

Por, ata janë pritur nga shefi i kabinetit të kryeministrit, i cili  u ka thënë se për shkak të agjendës kryeministri HAradinaj mund t`i presë në takim vetëm nesër.

“U takuam me shefin e kabinetit të kryeministrit. Problemin u thamë që mund ta rregulloj vetëm Haradinaj. Arsyetimi i kabinetit ishte që kryeministri ka agjendë të ngjeshur dhe sipas tyre nesër prej orës 8-8:30 do të takohemi me kryeministrin. Ne do të qëndrojmë këtu deri sa të kryhet agjenda e Kryeministrit”, tha Hoti.