Kryeministri dhe kryetari i PS, Edi Rama
PS Firmos Kontratë Lobimi me Kompaninë e Afërt me Trump
Partia Socialiste e Shqipërisë ka punësuar kompaninë e lobimit “Ballard Partners” me bazë në Florida – kompani e cila njihet për lidhjet me presidentin amerikan, Donald Trump.
Të dhënat e siguruara nga BIRN në Departamentin Amerikan të Drejtësisë tregojnë se kontrata është firmosur më 13 prill 2017 nga drejtori i komunikimit të Ramës, Endri Fuga dhe presidenti i “Ballard Partners”, Brian Ballard.
Sipas kontratës së dorëzuar më 17 prill në Departamentin e Drejtësisë, marrëveshja hyn në fuqi më 1 prill 2017 dhe do të jetë në fuqi deri më 31 mars 2018.
Konsulenca e “Ballard Partners” do t’i kushtojë 20 mijë dollarë çdo muaj Partisë Socialiste dhe nëse ajo zgjat sa ç’është parashikuar, vlera totale do të arrijë 240 mijë dollarë plus kostot. (Kliko këtu për të lexuar kontratën)
“Çështjet dhe objektivat mund të përfshijnë zgjerimin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, forcimin e institucioneve demokratike dhe të sundimit të ligjit, promovimin e reformës në drejtësi, zbatimin e përpjekjeve në luftën kundër terrorizmit dhe ato ushtarake… si dhe shtyrjen përpara të integrimit të Shqipërisë në strukturat Europiane dhe ato Euro-Atlantike”, shkruhet në kontratë.
“Ballard Partners” është një kompani e njohur me bazë në Florida, e cila ka tërhequr vëmendjen e medias amerikane për shkak se presidenti i saj, Brian Ballard njihet si një ndër mbledhësit kryesor të fondeve për fushatën presidenciale të Trump në shtetin e Floridas.
Sipas revistës “Politico”, “Ballard Partners” hapi zyrën e vet të lobimit në Washington pas fitores së Trump dhe firmosi kontratën e parë të lobimit me Republikën Domenikane për 900 mijë dollarë në total.
Partia Socialiste e Shqipërisë është klienti i dytë i huaj për “Ballard Partners”.
Kontratat me kompani të kushtueshme lobuese për të ndikuar mbi qeverinë amerikane janë manovra të përdorura herët nga partitë politike në Shqipëri, të cilat kohët e fundit po shënojnë një kulm të ri.
Partia Socialiste i është bashkuar në këtë përpjekje Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike, të cilat kanë punësuar më herët lobuesit e tyre për të vendosur marrëdhënie me administratën e Trump-it.
Në dy investigime të mëparshme, BIRN zbuloi se Lëvizja Socialiste për Integrim pagoi mbi 300 mijë dollarë për lobim në SHBA gjatë vitit 2016, aktivitet i cili përfshinte edhe një ftesë për inaugurimin e presidentit Trump. Ndërkohë, Partia Demokratik e pajtoi në muajin mars kompaninë e lobimit “Stonington Strategies”, pjesë e “Muzin Capitol Partners” për 25 mijë dollarë në muaj.
*Ky shkrim u përditësua pasi BIRN siguroi kontratën e plotë, që saktëson se kontrata nuk u nënshkrua nga kryefinancierja e PS, por nga drejtori i Komunikimit, Endri Fuga. Të dhënat e përditësuara përfshijnë gjithashtu vlerën e kontratës, afatin e saj dhe objektivat që merr përsipër kompania lobuese “Ballard Partners” për llogari të Partisë Socialiste.