Flamuri i Koresë Veriore - Foto: REL/Reuters
Koreja Veriore e Konsideron 'Raciste' Administratën e Trumpit
Koreja Veriore ka akuzuar administratën e presidentit amerikan, Donald Trump duke e cilësuar klub të miliarderëve që zbaton “politikë raciste”, derisa kundërshton lirinë e shtypit dhe mbulimin shëndetësor për qytetarët e saj, transmeton Reuters.
Raporti, Letra e Bardhë për shkeljet e të drejtave të njeriut në SHBA gjatë 2017-tës, është prezantuar nga Instituti për Studime Ndërkombëtare të Republikës Demokratike Popullore të Koresë (DPRK) dhe ka qarkulluar nga misioni i saj diplomatik në Gjenevë.
Ai nuk i është referuar konfliktit në mes të Koresë Veriore dhe Shteteve të Bashkuara përfshirë aleatët e saj, për shkak të programit bërthamor dhe atij të raketave të Koresë Veriore, apo për sanksionet ndërkombëtare të vëna kundër këtij shteti.
Presidenti amerikan, Donald Trump, në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit, e ka cilësuar, udhëheqësinë e Koresë Veriore të shthurur. Ai ka treguar për rrezikun që ka SHBA-ja nga ky vend dhe ka premtuar se do të vazhdojë fushatën për ta parandaluar një gjë të tillë.
“Dhuna racore që ndodhi në Sharllotsvill, Virxhnia është një shembull tipik i politikës raciste të administratës”, thuhet në raport.
Trump që ka marrë pozitën një vit më parë, e ka mbushur kabinetin e tij me miliarderë duke përmendur Sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson, Sekretarin e Thesarit, Steven Mnunchin dhe Sekretarin e Mbrojtjes, James Mattis. (REL)