Promovohet libri për luftën e Luginës së Preshevës gjatë viteve 1999-2001

Është promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” libri “Kryengritja Çlirimtare në Kosovë Lindore gjatë viteve 1999-2001” i Valon Jashari.

Ky libër historiografik trajton gjerësisht luftën e armatosur të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Përmes fakteve, dokumenteve dhe dëshmive autentike të ruajtura nga akterë të atyre ngjarjeve pasqyrohet lufta e vitit 1999-2001 në Luginën e Preshevës, që nga themelimi i celulave të para të rezistencës.

Jasharit i janë dashur më se një dekadë për të finalizuar monografinë për luftën e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, i cili është ndër të rrallët që trajton luftën e UÇPMB-së.

Në një prononcim për KALLXO.com autori i librit Valon Jashari ka thënë se është ndeshur me shumë probleme pasi dokumente për luftën e Luginës nuk janë të sistemuara apo të ruajtura nga ndonjë institucion, arkiv po fondacion për këtë luftë.

“Qëllimi i këtij libri është që ajo pjesë e historisë sonë shqiptare, e mbetur nën hije, të zbardhet dhe të dihet më shumë dhe në mënyrë sa më të dokumentuar për dhe rreth luftës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës gjatë 1999 2001”, ka pohuar Valon Jashari.