Ish-përfaqësuesi i UÇPMB-së e quan "separatiste" Gjykatën Speciale

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka pritur në një takim ish-eprorë e ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc (UÇPMB).

Takimi është zhvilluar në kontekstin e arrestimit dhe dërgimit në Hagë të drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ndaj të cilëve është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale.

Pas takimit, në një konferencë për media, ministri Selimi tha se beson në drejtësinë dhe pastërtinë e luftës së UÇK-së.

“Kjo konferencë për shtyp është  me shkas pasi që sot kam pritur ish- udhëheqësit e luftës së UÇPMB-së, komandantë, ushtarë dhe eprorë të kësaj ushtrie. Ne jemi mbledhur sot për të dërguar një mesazh që: thelbi i UÇPMB-së është lufta e UÇK-së dhe për këtë shkak jemi mbledhur këtu sepse ne besojmë në drejtësinë dhe besojmë në pastërtinë e luftës së UÇK-së”, deklaroi ministri Selimi.

Ndërsa, ish- përfaqësuesi politik i Shtabit të Përgjithshëm të UÇPMB-së, Shaqir Shaqiri, ka thënë se një gjykatë e cila ngritet mbi thashetheme nuk mund të jetë një gjykatë e drejtë dhe mund të jetë një gjykatë separatiste, që gjykon njëanshëm.

“Edhe këto procese që tanimë janë ngritur gjoja për të hulumtuar, dëshmuar apo për të parë nëse lufta e UÇK-së ka qenë luftë e pastër, ne e kemi mbështetur, por si luftëtar të lirisë jemi të zhgënjyer”, tha Shaqiri.

Krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli po akuzohen për krime të luftës, krime kundër njerëzimit, arrestime të kundërligjshme, trajtim mizor dhe vrasje.

Sipas aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së që nga marsi 1998 deri në shtator 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.