Hysri Peqani - 'Burdushi'

Prokuroria interviston të dëmtuar në rastin e Burdushit, pret edhe të tjerë

Prokuroria Themelore në Prizren po vazhdon të intervistojë dëshmitarë në cilësinë e të dëmtuarve në rastin e mjekut popullor, Hysri Peqani i njohur si “Burdushi”.

Kjo pasi që sipas Prokurorit përgjegjës për media, Petrit Kryeziu, në prokurori po paraqiten dëshmitarë të tjerë të cilët e ndjejnë vetën të dëmtuar në lidhje me rastin e “Burdushit”.

“Ne kemi pasur në këtë rast të dëmtuar që nga fillimi i procedurës, mirëpo në ndërkohë gjatë hetimeve janë paraqitur dhe po vazhdojnë të paraqiten edhe qytetarë të tjerë të cilët e ndjejnë veten të dëmtuar, në mënyrë që të njëjtit të mund të realizojnë kompensim të dëmit në fund të  kësaj procedure penale”, tha Kryeziu për KALLXO.com.

Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi” është arrestuar në nëntor të vitit të kaluar.

Policia e Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren kishte bastisur shtëpinë e “Burdushit” nën arsyetimin për shmangie nga tatimi dhe mashtrim.

https://kallxo.com/bastiset-shtepia-e-hysri-pecanit-burdushit-foto/

Në po të njëjtin muaj, ndaj “Burdushit” u ngrit aktakuzë.

“Burdushi” akuzohet se nga data 20.06.2014 deri me 12.08.2014 në Prizren, duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, ose për t`i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e të dëmtuarit.

https://kallxo.com/burdushi-akuzohet-per-mashtrimin-e-nje-pacienti/

Në seancën e 22 nëntorit të vitit të kaluar Hysri Peqani, mjeku popullor i njohur si ‘Burdushi’ është dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit me 1 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, për veprën penale mashtrim.

Në po të njëjtin vendim ‘Burdushit’ Gjykata ia ka ndaluar ushtrimin e ‘profesionit’ për tri vite.

https://kallxo.com/burdushi-denohet-me-burg/

Që nga muaji nëntor i vitit të kaluar, mjeku popullor i njohur si “Burdushi” gjendet në masën e paraburgimit.