Arrestimi i "Burdushit"

"Burdushi" dërgohet në burg për të vuajtur dënimin

Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, gjatë ditës së sotme është përcjellur nga organet e rendit për në qendrën e paraburgimit në Prizren e pastaj për në qendrën e paraburgimit në Hajvali, atje ku pritet të vuajë dënimin prej 4 vite e gjysmë burgim, pasi është shpallur fajtor për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe vepra të tjera.

Këtë për kallxo.com e ka konfirmuar mbrojtësi i tij, Feim Alaj.

“Me urdhër të Gjykatës, është marrë Hysri Peqani dhe është dërguar në vuajtje të dënimit”- konfirmoi Alaj.

Avokati tha se klienti i tij është dërguar në vuajtje të dënimit përkundër faktit se është në gjendje të rëndë shëndetësore.

“E kanë dërguar në vuajtje të dënimit edhe pse është në gjendje të rëndë shëndetësore”- tha Alaj.

Kujtojmë që “Burdushi” ishte dënuar nga Gjykata e Prishtinës në janar të këtij viti,

Historiku i rastit 

“Burdushi” ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në janar të këtij viti. Vendimi ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Tutje “Burdushi” kishte kërkuar nga kryetarja e Gjykatës së Prishtinës që të shtyhej ekzekutimi i dënimit për së paku gjashtë muaj, për arsye shëndetësore.

Me këtë kërkesë nuk ishte pajtuar as kryetarja e Gjykatës së Prishtinës, Albina Shabani- Rama, duke e refuzuar kërkesën si të pabazuar.

I pakënaqur me këtë vendim ishte përsëri “Burdushi”.

Vendimin e kryetares së Gjykatës Themelore “Burdushi” e kishte apeluar në shkallë të dytë. Edhe kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Tolaj, e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e Hysri Peqanit.

Përsëri i pakënaqur me vendimin e Apelit, Hysri Peqani e kishte dërguar rastin edhe në instancën e tretë të sistemit gjyqësor – në Gjykatën Supreme. Kjo e fundit kishte marrë vendim me të cilin e kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësja e “Burdushit” kundër vendimit të Gjykatës Themelor dhe Gjykatës së Apelit.

Sipas Supremes, kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është e papranueshme, e njëjta mund të paraqitet kundër vendimit të gjyqësorit të formës së prerë ose kundër procedurës gjyqësore e cila i ka paraprirë marrjes së vendimit të tillë, pas përfundimit të procedurës penale në formë të prerë. Ndërkaq gjatë procedurës e cila nuk ka përfunduar formën e prerë, kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë paraqitet vetëm kundër vendimeve të formës së prerë lidhur me caktimin ose vazhdimin e paraburgimit.

Sipas Supremes, në rastin konkret nuk është fjala për vendim që është marrë gjatë procedurës penale e që ka përfunduar me formë të prerë, por për procedurën e shtyerjes së ekzekutimit të dënimit. Mbi këtë bazë nuk është përmbushur kushti i lartcekur për pranueshmërinë e paraqitjes së këtij mjeti të jashtëzakonshëm.

Për çka akuzohej ‘Burdushi’?

‘Burdushi’ akuzohej se që nga viti 2005, kur ka regjistruar biznesin e tij, e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare.

Prokuroria e akuzonte ‘Burdushin’ se të dëmtuarve u ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.

Sipas Prokurorisë Speciale, ‘Burdushi’ kishte përfituar shuma të ndryshme duke filluar nga 20 euro e deri në 3,000 euro, në total duke përfituar rreth 1 milion euro.

Po ashtu, ‘Burdushi’ akuzohej se ka mbajtur në pronësi armë të tipit pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie me 55 fishekë, në kundërshtim me Ligjin për Armët.

Tutje sipas Prokurorisë Speciale ‘Burdushi’ që nga viti 2006 akuzohej se kishte shplarë para, ashtu që duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale.

Duke filluar nga viti 2006 paratë e tilla i ka futur në sistem bankar përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Andaj si pasojë e këtyre veprimeve Prokuroria i kishte sekuestruar ‘Burdushit’ edhe një pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme.

Ky rast nga Prokuroria Speciale ishte i shënjestruar si dhe i koduar “mashtrimi”.

Pos këtij rasti, ‘Burdushit’ në Gjykatën e Prizrenit i ishte vjetërsuar një rast i mëhershëm për vepër penale të mashtrimit.