Seanca gjyqësore ndaj Hysri Peqanit, Burdushit | Foto: KALLXO.com

Apeli vendos për shkuarjen e 'Burdushit' në burg

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Tolaj ka marrë vendim me të cilin e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e Hysri Peqanit – Burdushit, kundër vendimit të kryetares së Gjykatës Themelore me të cilin kishte refuzuar kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të dënimit prej 4 vite e gjashtë muaj burgim.

“Reufzohet si e pa bazuar ankesa e të dëmtuarit Hysri Peqani, për shtyerjen e ekzekutimit të vuajtjes së dënimit me burg, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 12.09.2023, vërtetohet”- thuhet në vendimin e Apelit.

Apeli në arsyetim e vendimit të nxjerrë më 18 shtator të këtij viti, ka theksuar se nga shkresat e lëndës të paraqitura nga mbrojta e Hysri Peqanit, nuk qëndrojnë pretendimet shëndetësore të ‘Burdushit’ për shtyerjen e ekzekutimit të dënimit.

Kryetarja e Gjykatës së Prishtinës, Albina Shabani- Rama po ashtu në shtator të këtij viti kishte refuzuar kërkesën e Hysri Peqanit, si të pabazuar, për shtyerje të ezekutimit të dënimit me burgim për së paku 6 muaj.

“Refuzohet si e pa bazuar kërkesa e të dënuarit Hysri Peqani për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim. I dënuari është i obliguar që pas marrjes së këtij aktvendimi ditën e nesërme të lajmërohet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, për fillimin e mbajtjes së dënimit me burgim” – thuhet në vendimin e nxjerrë nga Shabani- Rama.

Hysri Peqani, i njohur ndryshe si ‘Burdushi’ kishte kërkuar nga Gjykata që t’i shtyhet ekzekutimi i dënimit dhe të mos shkojë në burg në kohën e paraparë, për shkak të gjendjes shëndetësore.

Lidhur me këtë pretendim të ‘Burdushit’, Shabani- Rama, kishte konstatuar se provat e paraqitura dhe raportet mjekësore nuk pasqyrojnë gjendjen e saktë dhe reale shëndetësore të të dënuarit.

“Pas shqyrtimit të kërkesës dhe pretendimeve dhe analizimit të provave në kërkesë dhe atë raportet shëndetësore, u konstatua se provat e bashkangjitura si raportet nuk pasqyrojnë gjendjen e saktë dhe reale shëndetësore të të dënuarit…” – thuhet ne arsyetimin e vendimit.

Përmes avokatëve të tij, Durim Osmani dhe Feim Alaj, ‘Burdushi’ kishte paraqitur kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit lidhur me veprat penale ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore, për mashtrim të vazhdueshëm, për armëmbajtje pa leje dhe për shpëlarje parash për të cilat ishte dënuar me 4 vite e gjashtë muaj dënim me burgim.

Mbrojtja e të njëjtit përmes kërkesës kishin lutur kryetaren e Gjykatës së Prishtinës, Albina Shabani- Rama që të aprovoj këtë kërkesë dhe të shtyej ekzekutimin e dënimit për së paku 6 muaj.

“Duke u bazuar në rrethanat e lartcekura, e me një lutje të sinqertë për kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë që të aprovoj kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit për së paku 6 muaj…”- thuhej në kërkesën avokatëve të ‘Burdushit’.

Gjykata e Prishtinës kishte lëshuar një urdhëresë për ‘Burdushin’ që i njëjti të paraqitet për vuajtje të dënimit më 18 shtator të këtij viti në Shërbimin Korrektues të Kosovës, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Hysri Peqani i njohur me emrin ‘Burdushi’ në janar të këtij viti ishte dënuar me 4 vite e 6 muaj dënim me burgim dhe me 42 mijë euro dënim me gjobë për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore, për mashtrim të vazhdueshëm, për armëmbajtje pa leje dhe për shpëlarje parash.

Gjykata kishte vendosur që të konfiskoj pasurinë së tij që kalon vlerën e 2 milionë euro. Kjo pasuri, sipas aktakuzës, është krijuar përmes veprave të kundërligjshme.

Ky dënim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Për çka akuzohej ‘Burdushi’?

‘Burdushi’ akuzohej se që nga viti 2005 kur ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare.

Prokuroria e akuzonte ‘Burdushin’ se të dëmtuarve u ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.

Sipas Prokurorisë Speciale, ‘Burdushi’ kishte përfituar shuma të ndryshme duke filluar nga 20 euro e deri në 3,000 euro, në total duke përfituar rreth 1 milion euro.

Po ashtu, ‘Burdushi’ akuzohej se ka mbajtur në pronësi armë të tipit pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie me 55 fishekë, në kundërshtim me Ligjin për Armët.

Tutje sipas Prokurorisë Speciale ‘Burdushi’ që nga viti 2006 akuzohej se kishte shplarë para, ashtu që duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale.

Duke filluar nga viti 2006 paratë e tilla i ka futur në sistem bankar përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Andaj si pasojë e këtyre veprimeve Prokuroria i kishte sekuestruar ‘Burdushit’ edhe një pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme.

Ky rast nga Prokuroria Speciale ishte i shënjestruar si dhe i koduar “mashtrimi”.

Pos këtij rasti, ‘Burdushit’ në Gjykatën e Prizrenit i ishte vjetërsuar një rast i mëhershëm për vepër penale të mashtrimit.

Cili ishte arsyetimi i Apelit për vërtetimin e dënimit për ‘Burdushin’?

Kolegji i gjykatës së Apelit në përbërje prej Ferit Osmani – kryetar i kolegjit, Vaton Durguti- gjyqtar referues, Burim Ademi – anëtar i kolegjit, kanë marrë aktgjykim me të cilin e kanë vërtetuar vendimin e Themelores duke e lënë në burg ‘Burdushin’.

Lidhur me vendimin e shkallës së parë ankesë kishin paraqitur Departamenti i Prokurorisë Speciale duke kërkuar dënim më të lartë për të akuzuarin.

Kurse mbrojtësi i të pandehurit Hysri Peqani, avokat Durim Osmani ka kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga të gjitha pikat e akuzës si dhe pasuria e konfiskuar të lirohet, mbi bazën e shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale të Aktgjykimit të themelores si dhe të shkeljes së ligjit penal, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të vendimin lidhur me sanksionin penal.

Apeli ka gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale apo me shkelje të tjera që do ta kishin kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të Themelores.

Tutje shkalla e dytë e ka konstatuar se nuk qëndrojnë pretendimet e palës së pandehur se ka tejkalim të aktakuzës gjatë gjykimi të çështjes nga shkalla e parë pasi që nuk është gjykuar një ngjarje tjetër por ajo si në përshkrim të aktakuzës.

“Gjykata e Apelit gjen të pabazuar pretendimin ankimor për sa i përket tejkalimit të aktakuzës, në dëm të akuzuarit… Sipas vlerësimit të kësaj gjykate në këtë çështje penale gjykata e shkallës së parë nuk ka bërë tejkalimin e aktakuzës në kuptimin objektiv… Kjo për faktin se sipas aktgjykimit të animuar rezulton qartazi se gjykata nuk ka gjykuar për ngjarjen tjetër nga ngjarja si në përshkrimin faktik të paraqitur në aktakuzë, pasi që në përshkrim faktik të veprimeve inkriminuese të të akuzuarit nuk ka munguar apo të ketë përfshirë faktet për një kualifikim më të rëndë të veprës penale nga ajo për të cilën e ngarkon aktakuza…”- thuhet tutje në vendimin e Apelit.

Tutje kolegji i Apelit pas analizimit të provave si atyre personale dhe ato materiale të përshkruara në hollësi, ka ardhur në përfundim që gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë nga shkalla e parë.