Seanca gjyqësore ndaj Hysri Peqanit, Burdushit | Foto: KALLXO.com

Kërkesa e Burdushit e papranueshme për Supremen

Gjykata Supreme ka marrë vendim me të cilin e ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtëtja e Burdushit, kundër vendimit të Gjykatës Themelor dhe Gjykatës së Apelit, vendime këto që kishin refuzuar kërkesën e Hysri Peqanit për shtyerjen e ekzekutimit të dënimit me burgim.

Kujtojmë që Burdushi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të këtij viti, me 4 vite e 6 muaj dënim me burgim  dhe 42 mijë euro gjobë për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe vepra të tjera penale si dhe ka vendosur që pasurinë që kalon vlerën e 2 milionëve të ia konfiskojë të akuzuarit.

“Hedhet si e pa praueshme kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë e mbrojtësve të të dënuarit Hysri Peqani, ushtruar kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore të datës 12 shtator 2023 dhe akvendimin e Gjykatës së Apelit të datës 18 shtator 2023”- thuhet në vendimin e Supremes.

Sipas Supremes kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është e pa pranueshme, e njëjta mund të paraqitet kundër vendimit të gjyqësor të formës së prerë osë kundër procedurës gjyqësore e cila i ka paraprirë marrjes së vendimit të tillë, pas përfundimit të procedurës penale në formë të prerë. Ndërkaq gjatë procedurës e cila nuk ka përfunduar formën e prerë, kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë paraqitet vetëm kundër vendimeve të formës së prerë lidhur me caktimin ose vazhdimin e paraburgimit.

Sipas Supremes në rastin konkret nuk është fjala për vendim që është marrë gjatë procedurës penale e që ka përfunduar me formë të prerë, por për procedurën e shtyerjes së ekzekutimit të dënimit. Mbi këtë bazë nuk është përmbushur kushti i lartcekur për pranueshmërinë e paraqitjes së këtij mjeti të jashtëzakonshëm.

Çka është kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë?

Kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është një nga tri mjetet e jashtëzakonshme juridike që kanë në dispozicion palët për vendimet e formës së prerë.

Kjo kërkesë parashtrohet nga palët mbi pretendimet se ka pasur shkelje të dispozitave të procedurës penale, në rast të shkeljes së ligjit penal dhe në raste të tjera të shkeljeve të tjera të dispotzitës së procedurës penale.

Historiku i rastit 

Burdushi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të këtij viti. Vendimi ky i Themelores i cili ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Shkallës së dytë.

Tutje Burdushi kishte kërkuar nga kryetarja e Gjykatës së Prishtinës, që të shtyhej ekzekutimin e dënimit për së paku gjashtë muaj, për arsye shëndetësore.

Me këtë kërkesë nuk ishte pajtuar as kryetarja e Prishtinës Albina Shabani- Rama duke i refuzuar kërkesën si të pa bazuar.

I pakënaqur me këtë vendim ishte përsëri Burdushi, duke e apeluar vendimin e kryetares së Gjyatës  Themelore, në shkallë të dytë, ku kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Tolaj e kishte refuzuar si të pa bazuar ankesën e Hysri Peqanit – Burdushit.

Për çka akuzohej ‘Burdushi’?

‘Burdushi’ akuzohej se që nga viti 2005 kur ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare.

Prokuroria e akuzonte ‘Burdushin’ se të dëmtuarve u ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.

Sipas Prokurorisë Speciale, ‘Burdushi’ kishte përfituar shuma të ndryshme duke filluar nga 20 euro e deri në 3,000 euro, në total duke përfituar rreth 1 milion euro.

Po ashtu, ‘Burdushi’ akuzohej se ka mbajtur në pronësi armë të tipit pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie me 55 fishekë, në kundërshtim me Ligjin për Armët.

Tutje sipas Prokurorisë Speciale ‘Burdushi’ që nga viti 2006 akuzohej se kishte shplarë para, ashtu që duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale.

Duke filluar nga viti 2006 paratë e tilla i ka futur në sistem bankar përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Andaj si pasojë e këtyre veprimeve Prokuroria i kishte sekuestruar ‘Burdushit’ edhe një pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme.

Ky rast nga Prokuroria Speciale ishte i shënjestruar si dhe i koduar “mashtrimi”.

Pos këtij rasti, ‘Burdushit’ në Gjykatën e Prizrenit i ishte vjetërsuar një rast i mëhershëm për vepër penale të mashtrimit.