Prokuroria e Mitrovicës jep detaje si vdiq 28 vjeçari i cili mbeti nën rrënoja

Nga një muaj paraburgim është caktuar për dy të dyshuarit, punëdhënësin dhe punëkryesin, të cilët dyshohet të jenë shkaktarë për shembjen e ish- hotelit “Adriatik” në Mitrovicë, ku humbi jetën një 28 vjeçar.

Sipas kërkesës së Prokurorisë të dorëzuar në Gjykatë, të dyshuarit A.H., dhe Q.H., më 22 mars, pas një marrëveshje gojore mes vete, dhe pa konsultimin e ekspertit përkatës për rrënimin e objekteve, kanë filluar të kryejnë punët në objektin ndërtimor në objektin e ish- hotel “Adriatik” në Mitrovicë.

Këtë pronë sipas prokurorit i dyshuari A.H. e ka marrë me qira, dhe i njëjti është arrestuar në cilësinë e punëdhënësit, ndërsa i dyshuari Q.H. në cilësinë e punëkryesit.

https://kallxo.com/paraburgim-per-te-dyshuarit-e-rastit-tragjik-ne-mitrovice/

Prokuroria ka njoftuar se në kohën kur punëtorët dëshmitarë A.M., M.M. dhe S.H. po pastronin objektin në katin e parë, viktima Visar Behrami kishte hipur në skelë dhe po prente shtyllën e katërt me radhë të katit të parë të objektit.

“Në atë moment punëtorët kanë vërejtur se po shembet një pjesë e objektit dhe kanë filluar të ikin në drejtim të hyrjes, ndërsa viktima nuk ka arritur që të largohet dhe i njëjti ka mbetur nën rrënojën e objektit, dhe pas disa orëve është nxjerrë pa shenja jete”, thekson Prokuroria.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë në seancën e mbajtur të mërkurën ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Mitrovicës dhe i ka caktuar dy të dyshuarve masën e paraburgimit prej një  muaji.

KALLXO.com ka raportuar dje për detajet e Prokurorisë për shembjen e ish-hotelit “Adriatik”, ku mbeti i vdekur një 28 vjeçar.