Shembja e hotelit në Mitrovicë: Prokuroria tregon si ndodhi ngjarja

Prokuroria e Mitrovicës ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Afrim Hoti dhe Qamil Hajrizaj, për rastin e shembjes së hotelit “Adriatik” në Mitrovicë tri ditë më parë ndërsa pritet vendimi i gjykatës për këtë kërkesë.

Një person, Visar Behrami, 28 vjeçar, humbi jetën nën rrënojat e hotelit derisa po punonte aty ndërsa trupi i tij u gjet pas gjashtë orë kërkimesh nga ekipet emergjente.

Dosja e prokurorisë thotë se të pandehurit Hoti e Hajrizaj janë qiramarrës të hotelit, pronar i të cilit është Ismet Osmani.

Prokuroria thotë se në rastin e hotelit, Afrim Hoti ka qenë punëdhënës ndërsa Qamil Hajrizaj punë-kryes.

Dosja e prokurorisë gjithashtu thotë se punimet në këtë ndërtesë në qendër të Mitrovicës ishin bërë pa konsultimin e ekspertit për rrënimin e objekteve ndërsa ishte vepruar sipas rregullave teknike mbi masat mbrojtëse “edhe pse kanë qenë të obliguar”.

Sipas prokurorisë, në bazë të një marrëveshjeje gojore, i pandehuri Qamil Hajrizaj kishte filluar të kryejë punët në objektin ndërtimor duke i prerë shtyllat e katit të parë të objektit.

Tre dëshmitarë kishin qenë duke pastruar objektin në katin e parë, ndërsa tani i ndjeri Visar Behrami kishte hipur në skele dhe po prente shtyllën e katërt me radhë të katit të parë të objektit.

Dëshmitarët, sipas prokurorisë, kur kishin vërejtur se po shembet një pjesë e objektit, filluan të ikin në drejtim të derës së hyrjes, duke i bërtitur viktimës Visar Behrami të ikë nga vendi ku po qëndronte, pasi që kishin vërejtur se po shembej një pjesë e betonit e cila e kishte zënë atë.

Prokuroria thekson se me këtë rast, të pandehurit dyshohet të kenë kryer veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Prokuroria e Mitrovicës me 23 prill 2019 ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të dyshuarve.