Prishtinë, pesë të arrestuar, konfiskohen katër armë

Policia në rajonin e Prishtinës ka konfiskuar dje katër armë zjarri në pesë raste të ndara.

Policia ka njoftuar se në këto pesë raste të ndara ka konfiskuar edhe një shkrepëse në formë të revoles dhe fishekë të llojeve të ndryshëm.

Sipas policisë, armët e zjarrit janë gjetur dhe konfiskuar në katër automjete të ndryshme, nga Njësiti i Reagimit të Shpejtë gjatë një aksioni të kontrollit rutinë në  rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, ndërsa shkrepësja në formë të revoles është konfiskuar në oborrin e një shkolle në Fushë- Kosovë.

“Ndaj të gjithë personave të dyshuar, janë iniciuar rastet mbajtje në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armeve, dhe katër prej tyre pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa njëri nga të dyshuarit është dërguar në qendrën e mbajtjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia tutje ka njoftuar se vetëm në nëntë mujorin e parë të vitit 2018, nga njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë janë konfiskuar 337 armë, 3229 municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, dhe janë iniciuar 292 raste mbajtje në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armeve.