Selim Pacolli dhe Muhedin Nushi, Foto: KALLXO.com

Prishtina Ndalon Shitjen e Thëngjillit Brenda Territorit të Saj

Në një konferencë për shtyp nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli ka njoftuar se që nga sot Komuna e Prishtinës ka marrë vendimin të ndalohet shitja e thëngjillit brenda territorit të kryeqytetit.

Po ashtu Selimi ka potencuar se nga nesër ndalohet edhe hyrja e veturave brenda Prishtinës që nga ora 6:00 e mëngjesit.

“Zonat e ndaluara përfshijnë Bulevardin ‘Bill Clinton’, Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ nga rrethrrotullimi me flamur, rruga ‘Ilir Konushevci’. Transporti i udhëtarëve nga trafiku urban do të bëhet pa pagesë. Ky vendim do të fillojë nga data 31 janar deri në vendimin tjetër”, është shprehur Pacolli.

Muhedin Nushi, drejtor i Administratës në Komunën e Prishtinës ka theksuar se për ndalimin e shitjes së thëngjillit është bërë një marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“I kemi së paku 40 inspektorë që do të vëzhgojnë terrenin që nga dita e nesërme. Të gjitha automjetet janë të obliguara që të bëjnë kontrollimin teknik. Rreth 1200 taksi hyjnë në Prishtinë në mënyrë ilegale. Masat të cilat po merren janë për të mirë të qytetarëve. Në Komunën e Prishtinës nuk ekziston asnjë institucion shëndetësor ose arsimor që përdor thëngjill”, ka thënë Nushi.

Selim Pacolli  ka shpjeguar më tej se qasja e veturave është e ndaluar vetëm në qendër.

Kurse Muhedin Nushi ka thënë se autobusët që bëjnë transportin nga vendet tjera nëse ka rrugë alternative ata do t’i përdorin këto rrugë.

“Këto janë masa emergjente duhet ta kuptojmë këtë, kjo është për te mirë të qytetarëve. Jemi në fazë emergjente për me zbutë situatën që është krijuar. Për mbylljen e shkollave nuk është diskutuar as dje as sot”, ka thënë Nushi.

Në konferencë është theksuar matjet e ndotjes së ajrit në Prishtinë janë bazuar në matësit e Ambasadës së ShBA-së.

“Nuk ka alarmim në lidhje me gazra. Matësi i Ambasadës së ShBA-së mat grimcat e pluhurit, nuk mundemi me folë për parametra të tjerë”, ka potencuar Nushi.

KALLXO.com transmetoi LIVE konferencën për media të zyrtarëve të Komunës.