Stevo Pendarovski, president i Maqedonisë së Veriut - Foto: REL/LSDM
Presidenti Pendarovski sigurinë shtetërore ua beson dy profesionistëve shqiptarë
Presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, e ka kompletuar kabinetin presidencial.
Ajo që bie në sy është se Pendarovski segmentet e sigurisë ua ka besuar dy profesionistëve shqiptarë.
Siç raporton Alsat-M, presidenti i ri ka emëruar këshilltar për siguri Blerim Kolallin.
Kolalli ka shërbyer në misionin e NATO-s në Shkup e më parë edhe në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Shkup.
Ndërsa, shqiptari tjetër që ka marrë pozitë në kabinetin presidencial është Erolld Musliu.
Stevo Pendarovski e ka emëruar Musliun drejtor të Agjencisë së Zbulimit.
Erolld Musliu vjen në krye të Inteligjencës pas punës disavjeçare në DSK dhe zbulim.
Po ashtu, në mesin e këshilltarëve të jashtëm presidenti i vendit fqinj e ka emëruar prorektoren e Universitetit të Europës Juglindore (UEJL), Besa Arifi.
Pendarovski ishte kandidat që u përkrah edhe nga partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, BDI.