Posta Mundëson Gjurmimin e Rrugës së Dërgesave

Gjurmimi i dërgesës mund të bëhet me anë të shkrimit të numrit të saj në hapësirën e faqes së internetit të postës të dedikuar për këtë qëllim.

Sejdi Hoxha, drejtori ekzekutiv i Postës së Kosovës projektin e gjurmimit të dërgesave e konsideroi një arritje të madhe që sipas tij do ta mundësojë edhe kursimin.

“Ky projekt është një prej të arriturave më të mëdha të postës sa i përket modernizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve postare dhe se ky shërbim i dërgesave postare është projektuar dhe realizuar krejtësisht nga ekspertët e postës që do të mundëson të kursehen mbi 200 mijë euro,” tha Hoxha.

Ai po ashtu tha se “po të ishim anëtarë të Unionin Postar Universal, ne do ta kishim shërbimin e gjurmimit para disa viteve dhe ai do të ishte direkt i ndërlidhur me të  gjitha postat në botë”.

Në Unionin Postar Universal (UPU), një agjenci e Kombeve të Bashkuara, shtetet mund të anëtarësohen vetëm nëse janë anëtare të OKB-së.

Ministri për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavileci e vlerësoi lart këtë projekt duke thënë se institucionet e Kosovës duhet t’i japin prioritet fushës së shërbimeve postare.

“Të gjithë ne jemi pjesë e një tregu të lirë, një modeli  të një ekonomie të tregut të lirë. Por, në fakt  gjithmonë përballemi me konkurrencën dhe besoj se konkurrenca na bën të gjithëve mirë, gjithashtu edhe Postës së Kosovës, mirëpo unë mendoj se në raste të caktuara duhet dhënë përparësi ndërmarrjeve tona publike, duke qenë  se edhe vetë Qeveria e Kosovës është aksionare,” tha Stavileci.

Në KALLXO.com para pak ditësh ishin ankuar përfaqësues të institucioneve financiare private për favorizim të postës nga një kontratë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

http://kallxo.com/sektori-privat-ankohet-se-po-favorizohet-posta/

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu e lavdëroi sistemin e gjurmimit.

Tha se ky sistem ka rëndësi ekonomike dhe sociale dhe se Posta e Kosovës me shërbimet e saja të reja në vitet e fundit ka ndikuar edhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik të vendit.

Në fund, në faqen e internetit të postës u testua funksionimi i gjurmimit të dërgesës.