Foto: BIRN

Policia refuzon kërkesën e PD-së për protestë në Tiranë

Policia në Shqipëri ka refuzuar lejen e opozitës për të zhvilluar protestën e paralajmëruar më 5 mars para Parlamentit, raporton VizionPlus.

Në letërkëmbimin drejtuar selisë blu, policia duke u ndalur tek incidentet e protestave të organizuara nga opozita, ka theksuar se protesta e të enjtes cenon sigurinë e deputetëve gjatë hyrjes në Kuvend.

Sipas dokumentit të firmosur nga drejtori i Policisë së Tiranës, Kastriot Skënderaj, protesta e opozitës krahas cenimit të sigurisë së hyrje daljeve të deputetëve të mazhorancës përbën gjithashtu rrezik për sigurinë kombëtare në vend.

Policia i kërkon opozitës që ta zhvendosë protestën në një zonë tjetër ku nuk cenohet rendi dhe siguria.

Por nga ana tjetër, PD e ka cilësuar vendimin e policisë për moslejimin e protestës si një shkelje të Kushtetutës.

Sipas PD, në asnjë prej protestave të organizuara prej opozitës nuk është dëmtuar asnjë polic.

Në letërkëmbimin mes palëve, sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi shprehet gjithashtu se protesta do të zhvillohet pavarësisht se policia nuk e lejon./Vizionplus