Foto-ilustrim

Policia për Protestën

“Lidhur me protestën e cila pritet të mbahet nesër me 14 maj 2016,  Policia e Kosovës (PK) me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e kësaj proteste,” tha zëdhënësi Baki Kelani për KALLXO.com.

Kelani shpjegoi se cilat do të jenë angazhimet e policisë nesër.

“Qëllimi i planit dhe angazhimeve policore do të jetë siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike, zbatueshmëria e ligjit si dhe shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës,” sqaroi Kelani.

Kelani tregoi se protesta është lajmëruar në polici.

“Ndërsa sa i përket lajmërimit të protestës ju informojmë se Këshilli Organizativ i Protestës ka bërë lajmërimin e protestës në Policinë e Kosovës si dhe të njëjtit janë takuar me zyrtarët kompetentë të PK-së, për mbarëvajtjen dhe menaxhimin e protestës në mënyrë që e njëjta të kalojë e qetë,” tha Kelani.

Edhe gjatë konferencës së sotme të dy partive opozitare, liderët e tyre treguan se janë takuar me përfaqësues të policisë, ndërsa bënë me dije se protesta do të jetë e qetë.

http://kallxo.com/aak-ja-e-nisma-presin-proteste-masive/

Nesër AAK-ja dhe Nisma për Kosovën do të protestojnë kundër marrëveshjeve për asociacionin dhe demarkacionin dhe për dorëheqjen e qeverisë.