Policia: Në vendin e ngjarjes gjetëm të vrarë nënën dhe vajzën e saj

Policia Rajonale e Gjakovës ka dhënë detaje të reja rreth rastit të vrasjes së sontme në Gjakovë.

Sipas komunikatës, Policia e Gjakovës në orët e mbrëmjes ka pranuar një informacion lidhur me dyshimin për një rast të vrasjes së rëndë.

Rasti dyshohej të ketë ndodhur në një shtëpi private në lagjen Brekoc të Gjakovës.

Sipas komunikatës, menjëherë pas pranimit të këtij informacioni janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, duke iu përgjigjur vendit të ngjarjes me qëllim të hetimit, ekzaminimit dhe ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti.

Me të arritur në vendin e ngjarjes njësitet policore kanë gjetur dy viktima, nënë e bijë-fëmijë, të cilat dyshohet se janë vrarë me armë zjarri.

“Personi i dyshuar i cili tani është në ndalim policor është bashkëfamiljar i viktimave”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zëdhënësja Lirije Podrimaj.

Policia e Kosovës është angazhuar me të gjitha njësitë e saja relevante, me qëllim të hetimit dhe zbardhjes sa më parë të motivit të kryerjes së këtij rasti si dhe ndërmarrjen e masave shtesë në ofrim të sigurisë, përfundon komunikata.

KALLXO.com raportoi për rastin e vrasjes së dyfishtë.

https://kallxo.com/vrasje-e-rende-ne-brekoc-burri-dyshohet-se-vrau-gruan-dhe-vajzen/

Po ashtu, KALLXO.com siguroi detaje rreth rastit tragjik.

https://kallxo.com/babai-dyshohet-se-vrau-gruan-dhe-vajze-9-vjecare/

Kallxo.com