Gjykimi i Pjetër Nrecajt për lëndim të lehtë trupor (22 janar 2019). Foto: Kallxo.com

Arsyet pse Apeli e dënoi me burgim të përjetshëm Pjetër Nrecajn

Pjetër Nrecaj është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit.

Ky është dënimi më i rëndë i shqiptuar në Kosovë dhe dënimi më i rëndë i cili parashihet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Arsyet për të cilat Apeli e ka shqiptuar dënimin me burgim të Përjetshëm janë pesha e rëndë e veprës penale dhe rrethanat posaçërisht rënduese.

Sipas Gjykatës së Apelit dënimi me 24 vite burgim i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë nuk është adekuat me peshën e veprës penale për faktin se janë shkaktuar pasoja tepër të rënda.

Apeli po ashtu ka vlerësuar se duke pasur parasysh rrethanat posaçërisht renduese të rastit janë vlerësuar kushtet për shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm.

https://kallxo.com/burgim-i-perjetshem-per-pjeter-nrecaj/

Nrecaj në nëntor të vitit të kaluar ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata Themelore e Gjakovës ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij Valbona Nrecaj.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e shtatë gushtit 2018.

KALLXO.com kishte arritur ta siguronte një kopje të aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës ku sqarohej e tërë historia e konfliktit në mes çiftit Nrecaj.

Shkaku i fillimit të konfliktit mes viktimës dhe Pjetër Ndrecajt ishin pesë eurot e gjetura në rrugë nga djali i saj të cilat kishin shkaktuar konflikt mes të birit dhe djalit të kunatit, i cili pretendonte se parat e gjetura ishin të tijat.

Sipas Prokurorisë Pjetër Ndrecaj ia kishte kthyer ato para djalit të vëllait, veprim ky që ishte pritur si ofendim nga Valbona Ndrecaj e cila ishte fjalosur me burrin e saj, fjalosje kjo e cila më pas kishte eskaluar në sulmin fizik.

Çifti Ndrecaj jetonin të ndarë prej disa muajsh dhe kishin pesë fëmijë, dy prej të cilëve jetonin me të atin dhe tre me nënën.

Çifti në fjalë kishte probleme edhe në të kaluarën dhe për këtë Pjetër Nrecajt me 21 janar të këtij viti ju shtuan edhe një vjet e tetë muaj burgim pasi u gjet fajtorë për rrahjen e ish-bashkëshortes, tashmë të ndjerës Valbona Nrecaj.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com për rastin e vrasjes së Valbona Ndrecajt dhe vajzës së saj Pjeter Ndrecaj mund ti gjeni duke klikuar në LINK