Ilustrim

Tragjedia në Gjakovë, i dyshuari vrau viktimën deri sa ai ishte në gjumë

Një burrë është vrarë me thikë, ndërsa djali dhe gruaja e tij kanë mbetur të plagosur sot në mëngjes në fshatin Bradhaniq të Gjakovës.

Ngjarja ka ndodhur në orën 03:00 të mëngjesit, ndërsa KALLXO.com mëson se i dyshuari dhe viktimat ishin në lidhje familjare.

Në një përgjigje për KALLXO.com, prokurori i Gjakovës, Ali Uka, ka dhënë detaje se si ka ndodhur ngjarja e rëndë.

“Ka ora tre, pak pas mesnatës, sa kanë qenë këta në gjumë të tjerët, ky (I dyshuari) ka hy nëpër dhoma e i ka goditur me thika, e ka bo masakër. Nuk dihet ende motivi i vrasjes, ai që do me thënë, një i afërm i gjakut me bashkëshorten e atij viktimës që është identifikuar”, ka thënë për KALLXO.com, prokurori Ali Uka.

Prokurori Uka ka bërë të ditur se i dyshuari ka hyrë me forcë në dhomën e viktimës dhe të bashkëshortes së tij.

“E këta çifti bashkëshortor në një dhomë, tash ky ka hyrë në këtë dhomë me një çekan të fortë e ka thy derën, së pari i ka shkaktu lëndime asaj kushërires së tij, që i bie gruas së dhëndrit, edhe atij, dhëndrin e ka goditur me thikë, edhe e ka lënë në vend të vdekur. Kjo, bashkëshortja e viktimës, ka pësuar disa lëndime. Edhe ky djali tjetër është në gjendje kritike, por që i ka kalu rreziku për jetë”, ka thënë Uka.

Sipas tij, prokuroria ende nuk ka informacione se a kanë pasur mosmarrëveshje më herët apo ajo, ndërsa ka thënë se të gjithë ngjarjen e ka parë edhe një fëmijë i mitur i moshës 13 vjeçare.

“Është edhe djali tjetër i viktimës, 13 vjeç, por ai ka pësuar trauma dhe në konsultim me policinë nuk i kemi marrë deklaratë”, ka deklaruar Uka.

Prokurori Uka gjithashtu ka thënë se i dyshuari në deklaratën e tij, ka thënë se ka pasur probleme me drogën, por që sipas prokurorit, nuk mund të bazohen hetimet në këtë deklaratë.

Sipas burimeve zyrtare nga policia V. I., personi i dyshuar ka prejardhje nga Shqipëria dhe është kushëri i gruas së viktimës.

 

Tragjedi në Gjakovë: Dyshime se familjari nga dajallarët e plagosi nipin dhe i vrau babain

.