Të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit Parim Olluri - Foto: PK

Policia Apelon për Ndihmë në Identifikimin e Sulmuesve të Gazetarit

Policia e Kosovës kërkon ndihmën e qytetarëve për të identifikuar dhe kapur autorët e sulmit kundër drejtorit të portalit “Insajderi”, Parim Olluri.

Olluri ishte sulmuar fizikisht më 16 gusht të këtij viti në rr. “Bajram Bahtiri” në Prishtinë.

Në kërkim të të dyshuarve, Policia ka siguruar xhirime dhe imazhe ku shihen tre persona, të cilët dyshohet të kenë marrë pjesë në rastin e sulmit ndaj gazetarit.

“Në bashkëpunim me prokurorinë përkatëse po  kërkojmë përkrahjen e  qytetarëve për identifikimin e personave të dyshuar”, thekson Policia.

Prandaj, Policia lut të gjithë ata që kanë informacion lidhur me personat e dyshuar  dhe vendndodhjen e tyre të thërrasin në numrin 192.

Policia ka publikuar edhe këto foto të të dyshuarve.

Në emisionin e fundit “Drejtësia në Kosovë“ u trajtua çështja e sigurisë së gazetarëve.

Sipas të dhënave të Policisë, gjatë këtij viti janë regjistruar 23 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve.