Zgjedhje apo Tryezë Politike për t’i Dhënë Fund Bllokadës

Kriza politike në Kosovë po vazhdon përderisa opozita dhe koalicioni qeveritar po vazhdojnë të betonohen në qëndrime të cilat javëve të fundit çuan në konflikte politike dhe trazira në rrugë.

Njohës të çështjeve politike në Kosovë, zgjidhjen e krizën politike e shohin në mënyra të ndryshme.

Ndërkaq përpjekjet e dy palëve për ta treguar fuqinë politike të gjithë e shohin si të pafalshme.

Sociologu Artan Muhaxhiri, thotë për KALLXO.com se hendeku mes pozitës dhe opozitës kosovare ka hyrë në një fazë të re, atë të rrezikut konkret për trazira, shkatërrime dhe viktima potenciale.

“Nëse deri dje kundërshtimet ishin në nivel verbal, me përjashtim të incidentit me gazin lotsjellës, prej tash konflikti është i prekshëm dhe rrjedhimisht më i frikshëm. Kokëfortësia e të dyja palëve ka bërë që të mos i shihet fundi normal kësaj situate. Fatkeqësisht, në mungesë të ndonjë plani pozitiv dhe konstruktiv, duket se edhe pozita edhe opozita kanë nevojë për këtë krizë që ta dëshmojnë fuqinë e tyre politike. Kjo është e padurueshme dhe e pafalshme”, tha Muhaxhiri.

Ai theksoi se arrestimi i Albin Kurtit dëshmoi një “naivitet të madh të strukturave të policisë” pasi, sipas tij, u bë në mënyrë krejtësisht joprofesionale, duke e zgjedhur opsionin më të keq për acarimin maksimal të gjendjes.

“Ai është lider i partisë së tretë në Kosovë dhe qasja ndaj tij është dashur të jetë shumë më e kujdesshme. Policia u shfaq e hutuar dhe e papërgatitur. U krijua përshtypja se jo të gjitha hallkat e strukturave policore kishin qenë të njoftuara për këtë arrestim”, tha Muhaxhiri.

“Nëse dikush ka dashur ta dëmtojë imazhin politik të Albin Kurtit e ka bërë pikërisht të kundërtën – e ka fuqizuar atë. Për shkak të sjelljes së këtillë nga padija ose pakujdesia, arrestimi i sërishëm i Kurtit është bërë shumë më i vështirë. Prandaj, policia dhe prokuroria duhet ta shtyjnë arrestimin e tij ose të përballen me protesta shumë më të dhunshme sesa ato të së hënës mbrëma”, u shpreh Muhaxhiri.

Në këtë situatë, sipas tij, Presidentja Jahjaga duhet të dalë nga heshtja që e ka pllakosur dhe urgjentisht të shndërrohet faktor uniteti.

“Ajo e ka obligim t’u bëjë ftesë dy udhëheqësve të koalicionit qeveritar dhe tre liderëve të opozitës që të takohen në zyrën e saj, të kërkojë prej tyre ide për daljen nga kriza, dhe pastaj t’u tregojë qytetarëve të Kosovës kush çka ka ofruar”, tha Artan Muhaxhiri.

Njohësi i rrethanave politike në Kosovë, Belul Beqaj, thotë për KALLXO.com, se kriza politike është reflektim i humbjes së besimit të subjekteve politike mes pozitës dhe opozitës por edhe brenda tyre.

Sipas tij, kundërthënia ekzistuese nuk mund të zgjidhet përmes zgjedhjeve, ndonëse zgjedhjet sipas tij në rrethana më pak të acaruara do duhej të kuptoheshin si forma më demokratike të tejkalimit të krizës aktuale.

“Mbajtja e zgjedhjeve në ketë kontest vetëm sa do të komplikonte raportet, ngase ata që janë në pushtet do të bëjnë çdo gjë për të mbetur në pushtet, ndërsa, këta që janë pa pushtet do të bëjnë çdo gjë për të ardhur në pushtet”, thekoi Beqaj.

“Pra, në një gjendje të tillë, kur pak a shumë, askush, askujt nuk i beson, zgjedhjet vetëm sa do të shkaktojnë thellimin e krizës me mundësinë e viktimizimit të njerëzve të ndershëm të cilët do të dalin në votime apo rrugë me qëllime të mira, por në organizmin e skenaristëve të këqij”, u shpreh ai.

Por ndryshe mendon analisti politik Dukagjin Gorani.

Ai tha për KALLXO.com tha se e vetmja zgjidhje pragmatike do të ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme.

“Nuk ka rrugëdalje të lehtë meqë bëhet fjalë për krizë totale të legjitimitetit politik në vend. E vetmja zgjidhje pragmatike do të ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme për pranverën e ardhshme – jo më herët”, tha Gorani.

Situatën politike të Kosovës, Gorani e krahasoi me atë në Maqedoni.

“Kemi situatë të ngjashme me atë në Maqedoni, ku pushteti u detyrua në kompromis me opozitën pas skandaleve që rrënuan legjitimitetin politik të tij. Atje, zgjedhjet e parakohshme u caktuan të mbahen pas gjashtë muajve, në janarin 2016. Ngjashëm mund të veprohet edhe në Kosovë. Deri atëherë, kuvendi dhe qeveria Mustafa do të mund ta kryenin rolin teknik apo ‘menaxhues’ – pa të drejtë të ekzekutimit të vendimeve kritike për vendin”, theksoi ai.

Gorani, tha se është Presidentja ajo që do të duhej të kërkonte zgjidhje të tillë.

“Pikërisht ky do të duhej të ishte roli i Presidentes nëse do të bëhej fjalë për një president të vërtetë. Duke qenë simbol i kohezionit nacional, Presidenti do të duhej ta kërkonte një zgjidhje të këtillë: funksionim teknik të Kuvendit dhe të Qeverisë dhe shpallje të zgjedhjeve të parakohshme për, shembull, qershorin 2016”, theksoi Gorani.

Por Gorani theksoi se Presidentja Atifete Jahjaga nuk e ka këtë mandat apo autoritet.

“E tëra që ajo mund të bëjë në këtë situatë është t’i mbledhë përfaqësuesit e pushtetit dhe të opozitës, duke shërbyer si një ‘facilitues’ i takimit. Aty, do të duhej të pajtoheshin me zgjidhje kompromisi: opozita do të duhej të heq dorë nga anulimi i marrëveshjeve të gushtit (Asociacioni dhe Demarkacioni) kurse pushteti do të duhej ta pranojë shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për pranverën/verën 2016”, u shpreh Gorani.