Thaçi Premton Kufij të Vitit 1974, Haradinaj Kërkon Rezolutë

Hashim Thaçi në interpelancën për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi tha se ky kufi do të jetë në përputhje me Pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e ’74-ës.

“Çdo deklaratë që ka shmangie nga kufiri i vitit 1974 është e paqëndrueshme, është e paargumentueshme me dokumente gjegjëse legale, politike dhe historike,” deklaroi Thaçi.

Ai tha se në këtë proces Kosova nuk do të humbë asnjë metër katrorë të pronës së saj.

“E ritheksoj thelbësore për procesin e demarkacionit të kufirit në mes të Kosovës dhe  Malit të Zi, është ajo se  Kosova nuk humb asnjë metër katrorë  në procesin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”, deklaroi Thaçi.

Ministri i Jashtë tha se Kosova është e angazhuar të ketë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje.

“Në kuadër të kësaj fryme të mirë kemi nisur procesin e demarkacionit me shtetet fqinjë. Kemi përfunduar  me Maqedoninë dhe Shqipërinë, jemi në prag të përfundimit me Malin e Zi, si dhe jemi në prag të fillimit të demarkacionit me Serbinë, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë t’i vihet  pikë çështjes së kufijve në Ballkan,” theksoi Thaçi.

Ndërsa Ramush Haradinaj, iniciuesi i kësaj interpelance kërkoi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të bëhet një rezolutë me të cilën do ta obligohet qeveria të kthejë kufirin e vitit 1974.

“Ka disa vjet që ka filluar lojë me këtë kufi, rezultati i së cilës ky kufi ka depërtuar brenda territorit të Kosovës me kilometra, pikërisht gjatë qeverisjes së kryeministrit Thaçi dhe PDK-së,  së bashku me aleatët e tjerë në qeverisje. Për këtë arsye ne kemi kërkuar që parlamenti të zhvillojë një diskutim rreth kësaj teme, që të arrijmë te një rezolutë me të cilën e obligon Qeverinë e Kosovës ta korrigjojë këtë gabim,” deklaroi Haradinaj.

Ish- ministri i jashtëm Enver Hoxhaj tha se kjo temë nuk ka të bëjë me individë, apo me koalicione qeverisëse, por është çështje shtetërore dhe politike.

“Është një çështje shtetërore dhe po ashtu është edhe politike. Nëse kjo është politike nuk duhet të politizojmë diçka para se t’i shohim dokumentet dhe argumentet. Kjo është një temë emocionale për arsye që kufijtë dhe territoret jo vetëm në Kosovë janë çështje emocionale dhe pasi që janë çështje emocionale duhet një trajtim profesional,” tha Hoxha.

Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, foli  Besa Gaxherri e cila tha se Kosova nuk ka pasur pretendime të lëvizë kufijtë.

“Çështja e demarkacionit me të gjithë fqinjët e Kosovës është dashur të jetë krejtësisht çështje formale dhe teknike, sepse Kosova nuk ka pasë pretendime që të  lëvizë kufijtë e vitit 1974, të cilët kufi i vendosi dikush tjetër për ne, e të cilët prapë dikush pretendon t’i lëvizë. Natyrisht që LDK po kërkon që kufijtë të cilët ekzistojnë në hartë, të ekzekutohen në terren”, tha Gaxherri.

Ish kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se është naive të mendosh që ministri i jashtëm Hashim Thaçi do të  mbroj kufijtë e Kosovës.

“Kuvendit tonë i nevojiten procesverbalet dhe transkriptat nga ato dhjetëra takimet me zyrtarët e Malit të Zi, për të cilat u lavdërua këtu ministri i jashtëm. Por, duhet të jesh tejet naiv, ose tejet dashakeq të mbash shpresë që ky ministër i jashtëm na i mbron kufijtë,” pohoi ai .

Por më i ashpër u shpreh kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj kur doli të fliste për herë të dytë. Ai duke folur për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk la pa përmendur konfliktin në Kumanovë të Maqedonisë.

“Ju  duhet të shkoni te  Gjukanoviqi që e kemi komshi, me folë me të më direkt, nuk i duhet asgjë. Unë po mendoj se edhe atij po i vjen si Maqedonisë, e di se tash çelen krejt mikrofonat me ngu, por nuk i doli mirë as Nikolla Gruevskit as Maqedonisë incidenti në Kumanovë. Pse, sepse ra ajo dhe po hapen plot tema. Nuk i duhen askujt probleme për kufi, as Malit të Zi,” tha Haradinaj.

I pari i AAK-së propozoi shkarkimin e Murat Mehës, drejtorit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Ndërsa Valdete Bajrami, shefja e Grupit Parlamentar të NISMA- s shprehu dyshimet e saja për shitje të territorit të Kosovës që gjendet në kufi me Malin e Zi.

“Kjo çështje është në duart e një qeverie e cila është vazhdimësi e qeverisë së kaluar, andaj duke e parë se si është duke punuar në dëm të vendit dhe në dëm të qytetarëve mos u habitni që gjithë atë pjesë të territorit tonë  kjo qeveri ta ketë bërë pazar me Malin e Zi. Kjo qeveri duhet ta di që nuk mund aq lehtë ta kalojë këtë çështje”, tha Bajrami.

Kufiri mes Malit të Zi dhe Kosovës është i gjatë 79.6 kilometra.