Studentët e UP-së në Gjakovë nuk Duan Diplomat e “Fehmi Aganit”
Studentët e regjistruar në fakultetet e Universitetit të Prishtinës në Gjakovë, nuk duan të jenë pjesë e Universitetit të Gjakovës.
Nora Kelmendi studente e vitit të katërt në Fakultetin e Edukimit tha për KALLXO.com se asaj i ka mbetur edhe një semestër dhe nuk dëshiron të kalojë me status si studente e Universitetit të Gjakovës.
“Ne në fillim të vitit 2012/13 jemi regjistruar si studentë të Universitetit të Prishtinës dhe si të tillë duam të diplomojmë. Arsyeja jonë e vetme është të kërkojmë të diplomojmë si studentë të Universitetit të Prishtinës,” tha Kelmendi.
Njëqind studentë, me hallin e njëjtë si Kelmendi u pranuan sot në takim nga Shaban Buza, rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”.
“Unë do ta përcjelli dokumentacionin, kërkesën me nënshkrime për një lloj përgjigje që këta studentë të cilëve po u afrohet afati i provimeve të ju bëhet zgjidhja sa më shpejt dhe të dinë se ku janë,” tha rektori Buza.
Pas ratifikimit të vendimit të Kuvendit të Kosovës për themelimin e Universitetit Publik të Gjakovës, Ministria e Arsimit, Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Gjakovës më 14 Maj të këtij viti kishin nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi.
Kjo marrëveshje kishte për qëllim të rregullojë statusin e njësive akademike, bartjen e të drejtave të pronësisë që lidhen me pasuritë (asetet) dhe objektet që UP-ja i ka në Gjakovë në emrin e UGjFA-së, statusin e personelit akademik dhe administrativ, statusin e studentëve aktualë, etj.
Sipas nenit 6 pikës 3 të kësaj marrëveshjeje thuhet që “studentët që diplomojnë pas datës 30.09.2015 do t’i marrin diplomat nga UGjFA sipas gradës dhe kredive të parapara me programet e akredituara”
Kelmendi thotë se për këtë marrëveshje nuk është kërkuar edhe pajtimi i studentëve.
“Studentët këmbëngulin që të shqyrtohet edhe njëherë, pasi që në marrëveshjen që është arritur thuhet se edhe studentët janë nënshkruar. Ne studentët dimë që nuk kemi nënshkru asnjë gjë të vetme dhe kërkojmë që Ministria e Arsimit ta rishqyrtojë kërkesën tonë dhe qëllimi jonë i vetëm është që të diplomojmë si studentë të Universitetit të Prishtinës,” thotë Kelmendi.
Rektori Buza u propozoi studentëve edhe një zgjidhje kompromisi.
“E dyta zgjidhje që unë mund të ju ofroj është ju të vijoni vitin e katërt nën ombrellën e Universitetit të Gjakovës, ju t’i jepni provimet, të diplomoni, mirëpo bashkë me diplomën të ju lëshojmë edhe një dokument i cili quhet shtesa e diplomës ku mes tjerash përshkruhet saktësisht se ky ose kjo studente ka qenë i/e regjistruar në vitin akademik në Universitetin e Prishtinës,” thotë Buza.