Skënder Hyseni: Po Përgatisim Plan Dinamik Kundër Ekstremizmit Fetar

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka paralajmëruar një “plan dinamik” të qeverisë së Kosovës kundër radikalizmit dhe ekstremizmit fetar.

Në një tryezë të mbajtur sot në Prishtinë kundër këtij fenomeni, Hyseni u shpreh se përfshirja e shoqërisë në këtë betejë është parakusht që parandalimi i këtij fenomeni të ketë sukses.

Kosova është duke u përballur tash e disa vjet me ekstremizmin fetar ndërsa sipas Hysenit, rreth 300 kosovarë deri më tani kanë qenë dhe janë pjesëmarrës aktivë të luftës në Siri dhe Irak krah organizatave terroriste.

“Ne po merremi me pasojat dhe po i adresojmë e dënojmë rastet por po merremi edhe me parandalimin e këtij fenomeni”, u shpreh ai gjatë tryezës së organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), si pjesë e një projekti të mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian kundër ekstremizmit dhe radikalizmit fetar në komunat e Mitrovicës dhe Vushtrrisë.

“Nuk mund të qëndrojmë indiferentë karshi të asaj se 300 kosovarë kanë shkuar atje dhe karshi asaj që shumë kanë vdekur (në luftime)”, tha ministri Hyseni.

“E kemi obligim të dërgojmë porosi kundër radikalizimit. Imami në xhami, mësuesi në shkollë e politikanë në një forum si ky. Konsideroj hipokrizi të skajshme nëse ne bëjmë ftesë par harmoni fetare dhe kundër ekstremizmit vetëm për Bajram apo Kërshëndella”, tha ai.

Ndërsa Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, tha se Kosova duhet të marrë shembuj nga vendet që e luftojnë këtë fenomen.

Zhbogar gjithashtu foli kundër rekrutuesve të kosovarëve për këto luftëra.

“Premtimet e atyre që tentojnë t’ua shpërlajnë njerëzve trurin që të shkojnë në luftëra për para dhe jetë më të mirë nuk janë të vërteta. Ne duhet të punojmë t’u tregojmë njerëzve që arsimimi është rruga e vetme për një jetë më të mirë”, tha Zhbogar.

Organizatori i tryezës, Florian Qehaja nga QKSS, tha se ekstremizmi i dhunshëm nuk duhet të lidhet me fe.

“Në u bëjmë thirrje të gjitha organeve të shtetit që në mënyrë gjithëpërfshirëse ta luftojmë bashkë këtë fenomen. Me anë të këtij projekti jemi duke krijuar kundër narrativa”, tha Qehaja.