Selimi dhe të Tjerët Shpallen të Pafajshëm

Maj 29, 2014 – Ambasadori i Kosovës në Tiranë Sylejman Selimi është shpallur i pafajshëm në gjykatën në veri për akuzat e keqtrajtimit të dy vajzave-dëshmitare të mbrojtura në gjykimin kundër tij. Pafajësia në gjykatë për këtë rast iu shpall edhe Ismet Haxhës, Nexhat Qubrelit e Shefki Hysenit. Ky i fundit akuzohej për dhunim.

Sylejman Selimi, Ismet Haxha, Shefki Hyseni dhe Nexhat Qubreli u shpallën të pafajshëm të enjten, pasi që nuk janë vërtetuar provat e fajësisë së tyre, raporton gazetari i Jetës në Kosovë nga gjykata në veri. 

Sylejman Selimi, ambasador i Kosovës në Tiranë dhe ish-komandant i lartë i UÇK-së akuzohej për keqtrajtimin e dy vajzave në Likovc të Drenicës në dhjetorin e vitit 1998. 

“I akuzuari në cilësinë e pjesëtarit të lartë të UÇK-së, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të UÇK-së, ka shkelur integritetin trupor të Dëshmitares A dhe Dëshmitares B, të dyja të nacionalitetit shqiptar, duke i rrahur vazhdimisht”, thuhej në padi. 

Këto dy vajza që edhe dëshmuan gjatë gjykimit, sipas aktakuzës ishin rrëmbyer në Vaganicë të Mitrovicës për t’u dërguar pastaj në Likovc. 

Shefki Hyseni akuzohej për dhunimin e njërës prej tyre, ndërsa si Selimi edhe Ismet Haxha e Nexhat Qubreli akuzoheshin për keqtrajtim të dëshmitareve A dhe B