Protestë në Pejë për Zbardhjen e Rastit të Kumanovës

Qindra qytetarë të Pejës sot i janë bashkangjitur protestës së organizuar për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të këtij viti në Kumanovë.

Protestuesit kërkuan zbardhjen e rastit të Kumanovës ku mbeten të vrarë dhjetë persona dhe u burgosen 30 të tjerë, shumë nga ta shtetas të Kosovës.

Në këtë ngjarje, protestuesit kërkuan zbardhje të rastit dhe  hetim ndërkombëtar për këto ngjarje.

Taulant Gashi, vëllai i të vrarit në Kumanovë Turgaj Gashi, në emër të familjarëve të vrarëve tha se kërkojnë nga institucionet përgjegjëse publikimin e rezultatit të autopsisë për të vrarët.

“Ne familjarët e të vrarëve kërkojmë nga institucionet kompetente të shtetit të Kosovës të dalin sa me shpejt me publikimin e rezultateve të autopsisë”, tha Gashi.

Ndërsa përfaqësuesja e familjarëve të të burgosurve, Shkëndije Shehu, tha së janë duke përgatitur  padi penale ndajë shtetit të Maqedonisë për, siç tha ajo, shkelje të të drejtave të burgosurve dhe tortura ndaj tyre.

Ndërsa ish komandanti në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), Hysni Shaqiri, akuzoi kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), parti në pushtet në Maqedoni, si fajtor për moszbardhjen e rastit.

Edhe Meliza Zekaj, vajza e të burgosurit Valdet Zekaj, kërkoi Ahmeti të merret për zbardhjen e rastit.

“Andaj kërkoj edhe një herë, e dua babin tim në shtëpi bashkë me gjithë shokët e tij”, tha Meliza Zekaj.

Ish luftëtari  i UÇK-së dhe njëri ndër organizatorët e protestës, Adnan Hysenaj, theksoi se nëse nuk merren masa për kërkesat e tyre, do protestojnë edhe para qeverisë në Prishtinë.