Peticioni i 33 Mijë Qytetarëve i Drejtohet Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, shefat e grupeve parlamentare dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës pranuan sot një kërkesë në lidhje me rishikimin e çmimit të energjisë elektrike në vend.

Kërkesa vjen nga koalicioni i qytetarëve konsumatorë, sindikatave dhe organizatave joqeveritare, të cilët shprehin shqetësim për mungesën e vullnetit politik të deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me Peticionin e nënshkruar nga 33.000 qytetarë mbi çmimin e rrymës, i percjellur në Kuvend më 20 janar 2015.

“Koalicioni thekson se peticioni i 33 mijë qytetarëve i vendos deputetët e Kuvendit përpara një obligimi ligjor e mbi të gjitha qytetar dhe kërkon që të ripërsëritet kërkesa e komisionit ndaj Kryesisë së Kuvendit të Kosovës”, thuhet në kërkesën e drejtuar deputetëve nga KOSID-i.

Grupimi i shoqërisë civile kërkon që Kuvendi të rekomandojë që Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) të anulojë vendimin e datës 29 gusht 2014 për rritjen e çmimit të energjisë.

Gjithashtu, kërkohet që Kuvendi të kërkojë shkarkimin e anëtarëve të Bordit të ZRrE-se, duke rikujtuar dështimin e këtyre të fundit që të mbrojnë interesin publik të qytetarëve të Kosovës.

Ndër kërkesat e KOSID-it spikat largimi i TVSh-së prej 16% nga fatura e energjisë elektrike, si dhe anulimi i vendimit për rentën prej 3 euro për ton qymyri të shfrytëzuar.

Deputetët e Kosovës përballen edhe me kërkesën për rishikim të ligjit që rregullon aktivitetin e ZRrE-së, sa i takon vendosjes së çmimeve dhe përllogaritjes së gjendjes sociale dhe ekonomike të konsumatorëve të energjisë.

“Ky peticion kalon përtej interesave individuale dhe politike dhe si i tillë adreson një shqetësim të qytetarëve, i cili e meriton përgjigjen e duhur nga ana e institucioneve të Kosovës, në veçanti të Kuvendit të Kosovës,” thuhet më tutje në këtë letër.