Përkujtohet Asamblistja e Mbytur në Aksident

Në njëvjetorin e vdekjes aksidentale të asamblistes gjakovare të AKR-së Gjylgjyzare Karaxhija-Xharavina, nën patronatin e kryetares së Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila është mbajtur akademi përkujtimore.

Në akademi Kusari-Lila kujtoi edhe njëherë cilësitë e Karaxhija-Xharavinës, bashkëpunëtores së saj që miqtë më ngushtë e quanin “Zarush”.

“Kaloi një vit që na ndau fizikisht nga Zarushi ynë, Zarushi i qytetit tonë, bëmirësja, aktivistja dhe përkushtuesja  maksimale për të mirën e komunës sonë”, foli me emocione Kusari-Lila.

Në këtë akademi për biografinë e Karaxhija-Xharavinës foli Gentiana Muhaxhiri, ndërsa në emër të AKR-së të cilës asamblistja e ndjerë i takonte, fjalët e saj i tha Muzejene Selmani.

Për Karaxhija-Xharavinën fjalë të zgjedhura thanë edhe Fikrije Hasani në emër të Qendrës Edukative të Infermierisë dhe kolegu i së ndjerës Agim Berisha.

Të pranishmit në akademi i falënderoi edhe e bija e ish-asamblistes Natyra Xharavina.

Gjylgjyzare Karaxhija-Xharavina ishte femra më e votuar në Kosovë në zgjedhjet komunale të vitit 2009.

Ajo para një viti po shkonte në vendin e saj të punës, në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” të Gjakovës me biçikletë, kur u godit nga një makinë.

Vdiq pastaj në Qendrën Klinike të Shkupit.