Peja Mëson nga Modeli i Zhvillimit Italian

Asociacioni “Trentino con i Ballkani” nga Italia në bashkëpunim me Komunën e Pejës dhe Universitetin “Haxhi Zeka”  kanë mbajtur sot  konferencë rreth kooperativave dhe ndërmarrjeve sociale si model për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Përfaqësuesit italianë thanë se modeli i tyre është një strategji e mirë edhe për Kosovën që të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, pasi që krahina e Trento’s ishte ndër rajonet me të varfra në Itali, ndërsa tani është ndër më profitabile në Evropë për nga zhvillimi ekonomik.

Por për ta arritur këtë, përfaqësuesi italian rekomandoi zhvillimin e kooperativave.

“Nuk do të kishte pasur mundësi që të zhvillohet një sistem i tillë në kooperativë siç është zhvilluar në Trento, po mos të kishim filluar t’i marrim parasysh të gjithë komponentët që përbëjnë një shoqëri dhe një komunitet në vendin tonë”, tha Edigio Formilani nga Trento.

Territori i Trentos është sa gjysma e Kosovës dhe ka rreth 500 mijë banorë ndërsa shumica e banorëve janë të përfshirë në kooperativat e vendit.

Për ta bërë këtë, ekspertët italianë kërkojën që kosovarët t’i qasen më shumë praktikës.

“Nëse dëshironi që të prodhoni njohuri të shumta dituri abstrakte në teori, atëherë Universiteti është vendi me i duhur”, tha Flavio Zandoni nga një institut i Trentos.

Për këtë çështje u shpreh i interesuar edhe vetë Rektori i Universiteti “Haxhi Zeka”, Naser Mrasori.

“Së shpejti pritet që ta bëjmë një vizitë atje, dhe të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi me miqtë tanë që dua t’i falënderoj që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për ta pasur edhe Universitetin “Haxhi Zeka” në këtë urë bashkëpunimi”, tha Rektori Mrasori.

Edhe kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, përmendi shembullin e Trentos.

“Shembulli i Trentos është një shembull i mirë që tregon se si një provincë ose krahinë e varfër është shëndrru në një provincë e cila është shembull dhe ka standardin me të lartë në Evropë “, u shpreh Muhaxheri.

Ndërsa ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili erdhi me vonesë në ketë takim, u shpreh se në takimin e parë që ka pasur me përfaqësuesit e Trentos, kanë rënë dakord në pesë minutat e parë të takimit për bashkëpunimin e mëtejmë.

“Kemi menduar që Peja do të jetë një pilot – projekt dhe besoj që do të jetë një ide e mirë, një koncept i mirë që të zbutë edhe papunësinë por edhe krijon mundësi të reja të punësimit dhe përvojave për të rinjtë e Pejës”, tha ministri Abrashi.

Në ketë takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i shteti Italian në Kosovë, Andreas Ferares, i cili  tha se Italia shumë shpejt do ta hapë një konsullatë nderi në qytetin e Pejës, e para që Italia e hap në Kosovë.