Në Prizren Diskutohet për Gjykimin e Kryetarit Muja

Të martën organizata joqeveritare “Ec Ma Ndryshe” në Prizren, mbajti tryezë me temën “Ekspeditiviteti i gjyqësorit kundruall rasteve të zyrtarëve publikë”.  Kjo tryezë konkretisht kishte të bënte me rastin e kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja.

Që nga muaji mars është bërë një vit prejse Gjykata Themelore e Prizrenit ka shpallur aktgjykimin fajësues ndaj kryetarit të komunës së Prizrenit dhe ka kaluar një vit nga ankesa e mbrojtjes së kryetarit të Prizrenit dhe ende nuk është shqyrtuar rasti në Gjykatën e Apelit.

Kjo ishte arsyeja e mbajtjes së tryezës nga organizata “Ec Ma Ndryshe”.

“Organet e drejtësisë vazhdimisht kanë theksuar se rastet korruptive dhe të abuzimit me detyrën zyrtare janë prioritare për shqyrtim. Por tashmë janë mbushur dy vjet prejse organet e drejtësisë merren me rastin e kryetarit të Prizrenit dhe çështja ende nuk është përmbyllur,” thuhet në shkresën e organizatorëve.

Tryeza u mbajt në restorant “Marashi” në Prizren, ku të ftuar për të diskutuar rreth kësaj teme ishin Ymer Berisha, zëdhënës i Komunës së Prizrenit, njëherësh këshilltar politik i kryetarit Muja, Arbër Rexhaj nga Lëvizja “Vetëvendosje” dhe Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës.

Ymer Berisha nga Komuna e Prizrenit tha se kjo komunë në tërësi respekton të gjitha obligimet ligjore për plasimin e vendimmarrjes, ndërsa rolin e gjyqësorit e vlerësoi në shërbim të demokracisë.

Sa i përket rastit të kryetarit Muja, Berisha tha se derisa nuk merret verdikti final i të gjitha instancave të drejtësisë, kryetari nuk është fajtor.

Ndryshe nga zyrtari Berisha, ka shprehur qëndrimet e tij drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, i cili tha se gjyqësori në Kosovë ka një integritet të dobët në funksion të qeverisjes së mirë, duke numëruar edhe skandale në Prokurorinë e Shtetit, Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe zvarritjen e procesit nga Gjykata e Apelit në çështjen e Ramadan Mujës.

Ndërkaq, panelisti tjetër, Arbër Rexhaj, këshilltar i Lëvizjes “Vetëvendosje” në Kuvendin e Prizrenit, tha se pas dënimit të Ramadan Mujës nga gjykata, ai e ka humbur autoritetin moral, ndërsa shtoi se komuna e Prizrenit është kampione e shkeljeve ligjore në mbarë vendin.

Gjykata e Apelit caktoi 24 qershorin si datën e seancës së Ramadan Mujës.