Në Gjykimin e Ivanoviqit Dëgjohen Dëshmitarë të Mbrojtjes

Sot në gjykimin e Oliver Ivanoviqit dhe katër personave tjerë do të dëshmojnë dy dëshmitarë të mbrojtjes.

Dëshmitarët e sotëm qenë propozuar nga mbrojtja e Oliver Ivanoviqit.

E para do të dëshmojë Nada Simiq, ndërsa pas saj dëshminë është paraparë ta japë Zorka Gjuroviq.

Oliver Ivanoviqi, në seancën e sotme u soll në gjykatë nga Njësiti i reagimt të Shpejtë të Policisë së Kosovës në veri.

Atij më 18 shtator masa e paraburgimit iu zëvendësua me atë të arrestit shtëpiak.

Ivanoviq, kreu i partisë “Liri, Demokraci, Drejtësi”, ngarkohet për krime lufte pasi sipas aktakuzës urdhëroi vrasjen e shqiptarëve në Mitrovicë më 14 prill 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s, kur dyshohet se ishte lideri i një njësie policore paraushtarake.

Ai akuzohet gjithashtu për nxitje të vrasjeve të shqiptarëve etnikë gjatë trazirave që shpërthyen në Mitrovicë më 3 shkurt 2000, kur 10 shqiptarë u vranë dhe shumë të tjerë u dëbuan nga aty.

Katër të akuzuar tjerë, Dragoljub Delibasiq, Aleksandar Lazoviq dhe dhe Ilija dhe Nebojsa Vujaçiq që janë babë e bir, gjithashtu përballen me akuza për vrasje dhe tentativë vrasjeje.