Miratohet Ligji për Ndërmarrjet pa Nenin për Kompetencat Komunale

Është miratuar sot në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Para se të miratohej ky projektligj, janë nxjerrë në votim ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të tij nga Komisioni Funksional pas leximit të parë.

Janë miratuar të gjitha amendamentet e komisionit, me përjashtim të dy të tillave të propozuara nga Lëvizja “Vetëvendosje”.

Komisioni propozoi që të fshihet pika 1.3 e nenit 3 të projektligjit që kaloi në lexim të parë, ndërsa u jepte kompetenca komunave në lidhje me ndërmarrjet publike.

“Regjistrimi si ndërmarrje publike bëhet në marrëveshje me komunat në territorin e të cilave gjenden ato ndërmarrje ose njësi të caktuara organizative të ndërmarrjeve shoqërore, të cilat janë objekt i regjistrimit si ndërmarrje publike,” thuhej në pikën 11.3 të nenit 3 të projektligjit.

Kjo pikë kishte nxitur frikën te deputetët se për bërjen e mundshme të “Trepçës” ndërmarrje publike, do të pyeteshin edhe komunat ku ndodhet ajo, e jo vetëm institucionet qendrore.

Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Ndërmarrjet pastaj u miratua me 75 vota për, 7 kundër dhe 2 abstenime.